KDI përgënjeshtron këshilltarin e Kurtit: Deputeti Arifi nuk e ka humbur mandatin

Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditës pretendoi se një deputet minoritar ka humbur mandatin, andaj nuk do të mund ta japë votën e tij në Kuvend për Qeverinë Hoti, në rast se ajo bëhet.


Në fakt është Këshilltari i kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, Erzen Vraniqi, që ka deklaruar një gjë të tillë, duke thënë se Kuvendi tanimë ka 119 deputetë.

Vraniqi ka thënë se deputeti Etem Arifi ka humbur mandatin për shkak se është i dënuar me 1 vit burgim me vendim të plotfuqishëm.

Një gjë e tillë është përgënjeshtruar nga Instituti Demokratik i Kosovës, shkruan Reporteri.

Eugen Cakolli nga ky institut ka thënë se deputeti Arifi për shkak të dënimit e ka humbur mandatin në legjislaturën e kaluar dhe kjo nuk mund të përdoret për këtë legjislaturë.

Postimi i plotë i Cakollit:

TË GJITHA vendimet, lidhur me të cilat deputeti Etem Arifi ka votuar që nga konstituimi i Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor të vitit 2019, janë plotësisht ligjore dhe të njëjtat janë të pakontestueshme.

Deputeti Arifi është dënuar me vendim të formës së prerë, me burgim prej 1 vit e 3 muaj, në mars të vitit 2019. Në maj të atij viti, ky vendim është publikuar edhe në media.
Gjatë asaj periudhe, deputeti Arifi i ka takuar legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës. Rrjedhimisht, deputeti Arifi ka humbur mandatin e tij të deputetit në legjislaturën e kaluar, e cila është shpërndarë dhe ka pushuar së ekzistuari më 22 gusht të vitit të kaluar. Por, ky dënim, nuk mund të përdoret si arsyetim ligjor që deputetit Arifi t’i përfundojë mandati aktual, që i takon një legjislature tjetër (të shtatës), krahasuar me atë kur ai ishte dënuar. Vendimet gjyqësore nuk mund t’a penalizojnë deputetin nëpër legjislatura të ndryshme.

Etem Arifi është certifikuar nga KQZ-ja dhe garuar në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit të vitit 2019. Lidhur me çështjet e kësaj natyre, në vitin 2017, në rastin e decertifikimit të kandidatit Zafir Berisha, Gjykata Supreme kishte vendosur që deputetët nuk mund të privohen nga e drejta për të garuar në zgjedhje, përveç nëse kjo parashihet në formë eksplicite me vendim gjyqësor.

Në këtë legjislaturë, deputeti Arifi mund t’a humb mandatin vetëm nëse ai shkon në vuajtje të dënimit me burgim efektiv. Kjo do rezultonte me mungesën e tij prej 6 muajsh në seancë, që parashihet si një prej formave të humbjes së mandatit. Për përfundimin e mandatit të deputetit, duhet të vendosë Kuvendi, me votat e 2/3 të deputetëve të pranishëm, bazuar në propozimin e komisionit përkatës parlamentar.

Related posts

Rriten çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut

KFOR: Ishim të informuar për patrullimin e ushtrisë serbe pranë vijës kufitare

ZV/kryeministri i Malit të Zi: Kosova është krahinë e Serbisë