Lideri i laburistëve në Britani, Jeremy Corbyn është zotuar për të “transformuar” Britaninë teksa ka nisur fushatën zgjedhore në këtë shtet.
Corbyn ka premtuar se do të “rindërtojë” shërbimin publik dhe do të shënjestrojë “menaxherët e këqij dhe ndotësit e mëdhenj”.
Në një fjalim të mbajtur të enjten, ai i ka konsideruar zgjedhjet e 12 dhjetorit si mundësi “të gjeneratës për të transformuar shtetin tonë”.
Corbyn po ashtu ka thënë se laburistët do të lansojnë “fushatën më të madhe në histori”.
Mirëpo kryeministri britanik, Boris Johnson ka fajësuar Corbynin për shtyrje të procesit të Brexitit, apo daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Ai ka thënë se është “jashtëzakonisht i zemëruar” që është dashur të shtyhej afati i 31 tetorit për largim të Britanisë nga blloku evropian, mirëpo sipas tij zgjedhjet do të “zhbllokojnë” situatën.
Të dy liderët, bashkë me pjesëtarë tjerë të partive të tyre, kanë nisur gjashtë javë të fushatës.
Zgjedhjet e 12 dhjetorit janë thirrur nga kryeministri britanik me pajtim të opozitarit Corbyn, pas vendimit të Bashkimit Evropian për ta shtyrë datën e finalizimit të Brexitit më 31 janar.
Johnson ka thënë se publiku duhet “të zgjedhë” për të ardhmen e Brexitit.
Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016./REL