Irani vazhdon të jetë pjesë e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, pavarësisht se është tërhequr nga angazhimet që i kërkon ajo, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Abbas Musavi.
“Teherani mbetet në marrëveshje. Pretendimet e fuqive evropiane se Irani shkel marrëveshjen, janë të pabazuara”, tha Musavi në një konferencë për media, të hënën në Teheran.
Më herët, Irani ka thënë se nuk e konsideron më veten të obliguar nga marrëveshja.
Kjo marrëveshje është arritur midis Republikës Islamike dhe fuqive botërore, por Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga ajo në maj të vitit 2018 dhe kanë rikthyer sanksione të ashpra ekonomike kundër Iranit.
Që atëherë, Teherani ka ndërprerë gradualisht angazhimet e tij me marrëveshje.
Nënshkrueset evropiane të marrëveshjes, Gjermania, Britania dhe Franca, kanë njoftuar ditë më parë se kanë aktivizuar mekanizmin e mosmarrëveshjes brenda marrëveshjes, gjë që mund të çojë edhe në sanksione të Kombeve të Bashkuara kundër Iranit.
Nënshkruese të marrëveshjes janë edhe Kina dhe Rusia.
Me këtë dokument, Irani është dakorduar që të kufizojë aktivitetin e tij bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
“Nëse Irani do të zvogëlojë më tej angazhimet e tij bërthamore, do të varet nga palët e tjera”, tha Musavi.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka tërhequr SHBA-në nga marrëveshja, duke argumentuar se kushtet e saj nuk kanë qenë mjaftueshëm të ashpra sa për ta parandaluar Teheranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.