Irani nis pasurimin e uraniumit në centralin Fordov

Irani nisi të enjten të transferojë gaz uraniumi në centrifugat e tij në centralin bërthamor Fordov.


Agjencia për Energji Bërthamore e Iranit tha përmes një deklarate të postuar në ueb-faqen saj se “prodhimi dhe mbledhja e uraniumit të pasuruar në Fordov kanë nisur”.

Me këtë hap, Irani hoqi dorë edhe nga një pjesë e marrëveshjes bërthamore, të arritur në vitin 2015 me fuqitë botërore.

Irani, në fakt, ka nisur të tërhiqet nga angazhimet e parapara me këtë marrëveshje prejse Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga ky pakt, më shumë se një vit më parë.

Uraniumi i pasuruar mund të përdoret për të prodhuar lëndë djegëse për reaktorë, por edhe për armë bërthamore.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, shkroi në Twitter se “falë politikës së SHBA-së dhe aleatëve të saj, Fordov do të jetë së shpejti në funksion të plotë”.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, tha se vendi i tij po i përgjigjet “terrorizmit ekonomik dhe shantazhit amerikan”.

SHBA-ja, prejse është tërhequr nga marrëveshja bërthamore në maj të vitit të kaluar, ka vënë sanksione të ashpra ekonomike kundër Iranit.

Irani, me marrëveshjen bërthamore, ka rënë dakord që të zvogëlojë aktivitetin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve kundër tij.

Nënshkrueset e tjera të marrëveshjes – Franca, Britania, Gjermania, Kina dhe Rusia – kanë bërë thirrje për ruajtjen e marrëveshjes.

Zyrtarët iranianë thonë se palët e mbetura në marrëveshje nuk kanë arritur t’i lehtësojnë efektet e sanksioneve të SHBA-së.

Related posts

Donald Trump drejt fitores në zgjedhje

Avionët e parë luftarakë F-16 mbërrijnë në Ukrainë

Izraeli: Konfirmohet vrasja e liderit ushtarak të Hamasit, Deif