Policia italiane njoftoi se janë arrestuar 334 persona, një pjesë e tyre në Zvicër, Gjermani e Bullgari, u kapën në operacionin e madh kundër organizatës së krimit të organizuar Ndrangheta.
Besohet se Ndrangheta, që ka rrënjët në Kalabria në jug të Italisë, është rrjeti më i fuqishëm i krimit të organizuar në botë dhe trafikanti më i madh i kokainës në Europë.
260 persona janë dërguar në burg, derisa 70 janë nën arrest shtëpiak, njoftoi të enjten policia italiane. Të dyshuarit po përballen me akuza për krim të organizuar, vrasje, shantazh, trafikim të narkotikëve, pastrim parash, korrupsion dhe mashtrim.
Operacioni policor kishte shënjestër kundër shumë grupeve në krahinën kalabreze Vibo Valentia dhe ka zbuluar lidhjet e tyre me ndërmarrës vendor, zyrtarë shtetëror, politikanë dhe zyrtarë të rendit.
Në kornizën e operacionit ishin përfshirë mbi 25 mijë karabinierë, të dyshuarve u janë konfiskuar prona me vlerë rreth 15 milionë euro. /GazetaMetro