Gjykimi i Trumpit: Çfarë pritet të ndodhë?

Pas disa javësh përplasjeje të zjarrta mes demokratëve dhe republikanëve, anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve ecën në mënyrë të qetë nëpër Kongresin amerikan për të dërguar akuzat në Senat, duke i hapur kështu rrugën gjykimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.


Dhoma, e udhëhequr nga demokratët, e miratoi rezolutën me 228 vota për dhe 193 kundër.

Para nënshkrimit të dokumenteve, kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha se presidenti Trump, në detyrën e tij, nuk arriti të jetë në mbështetje të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara dhe se veprimet e tij “rrezikuan” sigurinë kombëtare të vendit.

Ajo tha se ligjvënësit “do ta bëjnë të qartë se ky president do të mbahet përgjegjës. Që askush nuk është mbi ligjin dhe se asnjë president i ardhshëm nuk mund të luajë kurrë me idenëse ai mund të bëjë çfarë të dojë”.

Pelosi emëroi shtatë ligjvënës demokratë – që të gjithë me prejardhje nga fusha e ligjit – për të shërbyer si të ashtuquajtur menaxherë gjatë gjykimit të Trumpit në Senat.

Udhëheqësi i shumicës së Senatit, Mitch McConnell, tha në fjalën e tij se senatorët do të pranonin zyrtarisht artikujt në mesditën e 16 janarit dhe do të fillonin t’i shqyrtojnë ato menjëherë pas kësaj.

Ai tha se gjyqi do të fillojë më 21 janar.

Procesi i dorëzimit të akuzave u zhvillua katër javë pasi Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët vendosi të akuzojë presidentin republikan për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.

Çfarë përmbajnë konkretisht akuzat?

Presidenti Trump akuzohet se gjatë një telefonate me homologun e tij Ukrainas, Volodymir Zelenskey, i ka bërë presion Kijevit për të hetuar demokratin Joe Biden, i cili mund të jetë rival i tij në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA.

Trump akuzohet edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime.

Që nga koha kur akuzat u votuan në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët dhe republikanët janë përplasur për mënyrën se si duhet të zhvillohet gjykimi në Senat.

Çfarë pritet të ndodhë në ditët dhe javët në vazhdim?

Të enjten “menaxherët” e emëruar të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët do të ndjekin penalisht Trumpin, do të shkojnë në Senat dhe do të lexojnë rezolutën si dhe akuzat e plota ndaj presidentit.

Shefi i Gjykatës Supreme, John Roberts, do të shoqërohet në dhomë nga republikani që ka shërbyer më së gjati në Senat, Chuck Grassley.

Më pas gjykatësi Roberts do të betohet para senatorëve.

Në bazë të Kushtetutës ai do të kryesojë gjyqin.

Senati tani ka 53 republikanë, 45 demokratë dhe dy të pavarur që zakonisht votojnë me demokratët.

Gjykimi është planifikuar të nisë më 21 janar. “Menaxherët” e Dhomës së Përfaqësuesve do të paraqesin akuzat e tyre kundër Trumpit, dhe ekipi juridik i presidentit do të përgjigjet, ndërkaq senatorët do të kenë rolin e gjykatësve.

McConnell ka thënë se Senati do të mbajë seanca gjashtë ditë në javë, duke marrë vetëm të dielat pushim.

Senatorëve do t’u jepet kohë të paraqesin pyetje për secilën palë.

McConnell ka thënë që, pasi akuzat të paraqiten zyrtarisht në Senat, ai do të mbështesë një rezolutë që do të përcaktonte rregulla fillestare për gjykimin, por do të shtyjë një vendim nëse do të mundësojë dëshminë nga ana e dëshmitarëve.

Kjo çështje ka qenë pika qëndrore e përplasjes mes demokratëve dhe republikanëve pasi demokratët kërkojnë që gjatë seancave të ketë edhe dëshmitarë të cilët do të merreshin në pyetje.

McConnell ende nuk ka botuar një projekt të rezolutës, por ai tha se ajo do të ishtee ngjashmë me atë të miratuar në janar të vitit 1999 gjatë procesit të shkarkimit të ish-presidentit demokrat, Bill Klinton.

Megjithatë, pritet që demokratët të bëjnë presion për të dëgjuar dëshmitarët gjatë gjykimit.

Nëse miratohet rezoluta e McConnell, atëherë mesiguri pas fillimit të gjyqit,senatorët do të votonin nëse do të pranojnë dëshminë e dëshmitarëve të kërkuar nga demokratët.

Republikanët mund të përpiqen të thërrasin vetë dëshmitarë të tyre, megjithëse Shtëpia e Bardhë tha të enjten se nuk mendonte se dëshmitarët janë të nevojshëm.

Reagimet e presidentit Trump ndaj akuzave

Presidenti Donald Trump, këmbëngul se nuk ka bërë asgjë të keqe dhe hetimet kundër tij i quan “gjueti shtrigash”.

Trump mohon se ka përdorur ndihmën ushtarake si pazar me Zelenskyn dhe në disa raste ka përsëritur se biseda e tij me udhëheqësin e Ukrainës ka qenë “perfekte”.

Presidenti disa herë ka thënë se dëshiron që gjykimi për shkarkimin e tij të procedohet në Senatin e SHBA-së, për shkak se aty do të kishte një proces të duhur dhe të drejtë.

Presidentët amerikanë që u përballën me procedura të shkarkimit

Kundër Bill Clintonit kanë nisur procedurat për shkarkim, për shkak të mashtrimit dhe pengimit të drejtësisë, pasi ka gënjyer për natyrën e aferës së tij me Monica Leëinskyn dhe më pas dyshohet se i ka kërkuar edhe asaj të gënjejë.

Por, kur gjykimi ka shkuar në Senat më 1999, votimi për dënim ka dështuar.
Presidenti tjetër që është përballur me procedura të shkarkimit, ka qenë Andrew Johnson, më 1868. Ai është akuzuar, mes tjerash, për shkarkimin e sekretarit të tij të luftës kundër vullnetit të Kongresit.

Johnson ka shpëtuar për pak, pasi dy të tretat e votave në Senat nuk janë arritur vetëm për një votë.

Richard Nixon, presidenti i 37-të i Shteteve të Bashkuara, ka dhënë dorëheqje më 1974, përpara se të mund të fajësohej nga Senati për skandalin e Watergate.

Related posts

Donald Trump drejt fitores në zgjedhje

Avionët e parë luftarakë F-16 mbërrijnë në Ukrainë

Izraeli: Konfirmohet vrasja e liderit ushtarak të Hamasit, Deif