Mbrëmë është realizuar takimi thuajse 2 orë kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Gabriel Escobar dhe ndërmjetësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në lidhje me situatën e krijuar javën e fundit në komunat veriore të Republikës së Kosovës.
Nga ky takim, të dy ndërkombëtarët u deklaruan për media teksa, konfirmuan se patën tri kërkesa drejt Qeverisë Kurti, transmeton PreshevaPRESS.
Kujtojmë që tensionet në veri ishin temë kryesore e diskutimit.
Kurti: Në takim me Escobarin e Lajçakun shpreha angazhimin për shtensionimin e situatës në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas takimit të së hënës që e pati me emisarin evropian Miroslav Lajçak dhe atë amerikan Gabriel Escobar.
Kurti, përmes një postimi në Twitter, tha se në këtë takim e shprehu angazhimin për shtensionimin e situatës në veri.
Sipas tij, hapat thelbësorë përpara çojnë në përfundim të menjëhershëm të dhunës ndaj forcave të sigurisë nga grupet kriminale, si dhe do të luajnë rol në sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në veri.
“Në takimin me emisarët Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak shpreha angazhimin tim të parezervë për de-përshkallëzimin. Hapat thelbësorë përpara janë fundi i menjëhershëm i sulmeve ndaj forcave të sigurisë nga ekstremistët e dhunshëm dhe grupet kriminale, dhe roli për të siguruar fushatë dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Kurti pas takimit me emisarët: Kandidatët e votuesit të marrin pjesë në zgjedhjet e reja pa frikë e kërcënime
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim emisarin evropian Miroslav Lajçak dhe atë amerikan Gabriel Escobar.
U shkëmbyen mendime mbi gjendjen dhe zhvillimet e fundit, ide për shtensionim të situatës në veri të Kosovës dhe urgjenca për zbatim të Marrëveshjes Bazike e aneksit të zbatimit.
Kurti tha se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve. Ai ftoi Brukselin dhe Washingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj.
“Vetëm sundimi i ligjit mund t’i hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore. Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”, theksoi Kurti.
Kurti shprehu gatishmërinë e parezervë dhe mirëbesimin e palëkundur për angazhim intensiv e të përbashkët për shtensionimin e gjendjes dhe normalizimin e marrëdhënieve.
Escobar: Nuk ka votim të detyrueshëm, respektojmë strukturën kushtetuese të Kosovës
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, pas takimit me Kurtin, foli edhe për zgjedhjet, duke thënë se respektojnë autoritetin e Qeverisë së Kosovës.
Ai gjithashtu tha se nuk ka votim të detyrueshëm dhe se respektojnë strukturën kushtetuese të Kosovës.
“Sa i përketë zgjedhjeve, ne e respektojmë autoritetin e Qeverisë së Kosovës, respektojmë strukturën kushtetuese të Kosovës dhe nuk ka votim të detyrueshëm në këtë shtet. Por, një gjë është e qartë, pra që duhet të respektohet sundimi i ligjit dhe harmonia mes grupeve etnike, prandaj ne po mendojmë që të gjejmë një rrugë përpara”, u shpreh tutje ai.
Ai gjithashtu tha se sulmi ndaj ushtarëve të KFOR-it është, siç u shpreh ai, absolutisht i dënueshëm.
“Sulmi ndaj ushtarëve të NATO-s, pra të KFOR-it është absolutisht i dënueshëm dhe sulmuesit duhet të përballen me drejtësinë”, tha ai.
Ai gjithashtu tha se sulmi ndaj ushtarëve të KFOR-it është, siç u shpreh ai, absolutisht i dënueshëm.
“Sulmi ndaj ushtarëve të NATO-s, pra të KFOR-it është absolutisht i dënueshëm dhe sulmuesit duhet të përballen me drejtësinë”, tha ai.
Escobar foli edhe për ushtrimin “Defender”, duke thënë vetëm se duan që Kosova të arrijë çdo aspiratë të saj.
“Sa i përketë operacionit Defender mund t’iu them kështu, unë jam një mbështetës i madh i Kosovës, duam më të mirë për Kosovën, dua që Kosova të arrijë çdo aspiratë të vetën, jemi mbështetës të sigurisë, të pavarësisë, të sovranitetit, të integritetit territorial të Kosovës, krejt çka duam është unitet”, u shpreh tutje ai.
Takim i vështirë, Lajçak: Patëm tri kërkesa për Kurtin për shtensionim të veriut të Kosovës
I dërguari special i BE për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha se bashkë me të dërguarin special të ShBA-së, Gabriel Escobar, ia paraqitën tri kërkesa për shtensionim të situatës në veri të Kosovës kryeministrit Albin Kurti në takimin e sotëm.
Lajçaku potencoi se ishte një takim i vështirë me Kurtin, derisa shtoi se kërkesat përfshinin shtensionimin e situatës në komunat veriore të Kosovës, sa më shpejt zgjedhje në komunat e veriut si dhe kthim tek tavolina e dialogut, transmeton PreshevaPRESS.
”Fatkeqësisht jemi kthyer në Prishtinë për t’u marrë me menaxhimin e krizave në vend të shkeljes së normalizimit që është një lajm tjetër i mirë. Ne jemi këtu për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjes për situatën në komunat veriore të Kosovës. Kemi paraqitur propozime, tre elemente: de-përshkallëzimi i situatës në terren, zgjedhje të reja të shpejta dhe dialogu i normalizimit”, u shpreh Lajçaku.
Escobar pas takimit me Kurtin: Shpresoj se do dëgjohemi
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, u shpreh se ShBA, BE dhe NATO dhe sipas tij, pothuajse të gjithë miqtë e Kosovës, e kanë të njëjtën kërkesë për qetësimin e situatës në veri.
Lidhur me kërkesat, ai shpreson që të dëgjohen nga autoritetet e Kosovës, përcjell PreshevaPRESS.
”Nëse mund të them një gjë, nuk kam parë kaq shumë të bashkuar në komunitetin transatlantik”.
”Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, NATO dhe pothuajse çdo mik tjetër i Kosovës ka bërë të njëjtën kërkesë identike”.
”Pra, shpresoj se do të dëgjohemi”, tha ai.