Fondi Pensional i Serbisë ofron rehabilitim falas në banja për pensionistët

Fondi Republikan për Sigurim Pensional dhe Invalidor (RFPIO) ka shpallur thirrjen publike për paraqitjen e kërkesave për dërgimin e përfituesve të pensioneve në rehabilitim për vitin 2026.


Të drejtën për rehabilitim falas, në institucione shëndetësore-stacionare dhe banja me klimë shëruese, në kohëzgjatje prej 10 ditësh, e kanë përfituesit e pensioneve të pleqërisë, invaliditetit dhe pensioneve familjare, të cilët kanë vendbanim në territorin e Republikës së Serbisë dhe pensioni i të cilëve nuk e kalon shumën prej 56.834 dinarësh.

Në këtë thirrje mund të aplikojnë të gjithë pensionistët që, përveç pensionit deri në këtë shumë, nuk kanë të ardhura të tjera personale. Po ashtu, të drejtën e aplikimit e kanë edhe përfituesit e pensioneve të realizuara sipas rregulloreve vendore, si dhe ata që marrin pension nga jashtë, i cili llogaritet sipas kursit mesatar të Bankës Kombëtare të Serbisë më datë 8 janar 2026 (1 euro = 117,3227 dinarë), me kusht që shuma totale e pensioneve të mos e kalojë pragun prej 56.834 dinarësh.

Për aplikim është e nevojshme të dorëzohen këto dokumente:

  • çeku i pensionit;
  • dëshmi për lartësinë e pensionit nga jashtë (ekstrakt bankar, vërtetim nga institucioni i huaj i sigurimit social, etj.);
  • formulari i plotësuar i aplikimit me deklaratë, në të cilin pensionisti shënon se ku dëshiron ta shfrytëzojë rehabilitimin, se nuk ka të ardhura të tjera personale përveç pensionit, se nuk ka përfituar rehabilitim në vitet 2020, 2021, 2022, 2023, 2024 dhe 2025, si dhe se autorizon Fondin Republikan që, në emrin dhe për llogarinë e tij, të lidhë kontratë bashkëpunimi me institucionin ku do të realizohet rehabilitimi;
  • dokumentacion mjekësor, nëse pensionisti e posedon (nuk është i detyrueshëm), i cili dorëzohet në zarf të mbyllur ose sipas dëshirës së aplikuesit.

Fondi mbulon shpenzimet e akomodimit dhe shpenzimet e udhëtimit për shoqëruesin e përfituesit që ka realizuar të drejtën për ndihmë dhe përkujdesje nga personi i dytë, si dhe në raste të tjera të jashtëzakonshme.

Aplikimet dorëzohen pranë shoqatave ose këshillave të pensionistëve në territorin e degës së Fondit ku pensionisti ka vendbanimin. Pensionistët nga territori i AP Kosovës dhe Metohisë, të cilët kanë vendbanim ose qëndrim jashtë këtij territori, aplikimet i dorëzojnë në njësinë më të afërt organizative të Fondit sipas vendbanimit ose qëndrimit. Aplikimi mund të bëhet edhe në njësinë më të afërt të Fondit nëse pensionisti, në momentin e aplikimit, ndodhet jashtë vendbanimit të tij. Anëtarësimi në organizata pensionistësh nuk është kusht për shfrytëzimin e kësaj të drejte.

Afati për paraqitjen e aplikimeve fillon më 12 janar dhe përfundon më 28 janar 2026.

Listat paraprake të renditjes së përfituesve do të publikohen ditën e njëzet e pestë të punës pas përfundimit të thirrjes. Pensionistët kanë të drejtë të paraqesin ankesë pranë komisionit kompetent brenda pesë ditëve të punës nga dita e publikimit të listës paraprake.

Komisioni është i obliguar që brenda pesë ditëve t’i shqyrtojë ankesat e paraqitura, t’i njoftojë parashtruesit dhe të miratojë listën përfundimtare të pensionistëve që e kanë fituar të drejtën për rehabilitim, e cila do të publikohet në tabelat e shpalljeve të shoqatave dhe këshillave të pensionistëve, Drejtorisë së Fondit, degëve dhe njësive përkatëse të Fondit.

Related posts

Tryezë e rrumbullakët për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për ndalimin e diskriminimit

Producenti Sokol Guga gati të sjell spektaklin e Shën Terezës në Ulqin

Tragjedi në Llap / Pasi vrau të dashurin, 31-vjeçarja e mori peng gruan e axhës