Flasin nga Shtëpia e Bardhë: Këto janë tri çështjet kryesore që do të diskutohen me 4 Shtator

Gjatë ditës së enjte në Washington të SHBA-së pritet që të fillojnë bisedimet Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e emisarit Richard Grenell.


Një prej këshilltarëve të presidentit amerikan Donald Trump ka konfirmuar se në takim do të diskutohet vetëm rreth sektorit të ekonomisë dhe tri marrëveshjeve për rrugë, hekurudhave dhe linjat ajrore.

Pas më shumë se dy dekadave që prej kur ka përfunduar lufta mes Kosovës dhe Serbisë, ku kjo e fundit vrau e masakroi mijëra persona, Beogradi refuzon ta njohë pavarësinë e Prishtinës të shpallur në vitin 2008.

Tani, zyrtarët amerikanë po shpresojnë që duke i bashkuar në një tavolinë kryeministrin kosovar, Avdullah Hoti dhe presidentin serb, Aleksandar Vucic, do të ndihmojnë në rregullimin e marrëdhënieve mes dy palëve.

Kështu të paktën ka deklaruar në kushte anonimiteti për mediat amerikane një këshilltar i presidentit amerikan Donald Trump, përcjell Gazeta Metro.

“Kemi mbetur në diskutime politike dhe po vazhdojmë t’i ngrejmë çështjet e njëjta vazhdimisht, por pa bërë progres. Ne besojmë që koncentrimi tek çështjet ekonomike do të kishte më shumë zhvillim”, tha ai.

Mes tjerash personi i afërt me Presidentin Trump ka thënë se Washingtoni dëshiron të shohë më shumë investime dhe vende të reja të punës.

Ai ka përmendur tri marrëveshjet për hapjen e rrugëve, hekurudhave dhe linjave ajrore, si tema që do të diskutohen në takim.

“Kjo do të ndryshonte dinamikën e situatës. Të enjten, ne do të vazhdojmë tutje me tri marrëveshjet për rrugët, hekurudhave dhe linjave ajrore.”, tha ai, transmeton Gazeta Metro.

Për fund, këshilltari i presidentit nuk ka bërë të ditur nëse ai do të marrë pjesë në takim siç është diskutuar në disa media vendore.

Ndryshe, delegacioni i Kosovës në këtë takim përbëhet nga kryeministri Avdullah Hoti, zëvendëskryeministrat Driton Selmanaj dhe Albulena Balaj, ministrat Selim Selimi dhe Arban Abrashi, Meliza Haradinaj dhe koordinatori nacional Skënder Hyseni.

Prijës i grupit të Serbisë do të jetë presidenti, Aleksandër Vucici, drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën, Marko Djuric, Ministri i Financave, Sinisa Mali dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Marko Cadez.

Related posts

Shtetasit e Kosovës me pasaporta “koordinacija” nga mesi i tetorit pa viza në Schengen

Zyrtari i NATO-s bisedon me Bislimin për urën në Mitrovicë, Goffus: Vendimet të konsultohen me ndërkombëtarët

ZPS-ja i largon edhe 11 dëshmitarë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve