Avokatë të 23 grave që iu bashkuan grupit militant Shteti Islamik (IS) nga Holanda, kërkuan të premten nga një gjykatës që t’i urdhërojë autoritetet holandeze t’i riatdhesojnë ato dhe 56 fëmijët e tyre nga kampet në Siri.
Gratë dhe fëmijët jetojnë në “kushte të mjerueshme” në kampin al-Hol në veri të Sirisë, tha avokati Andre Seebregts në gjykatë.
Ai shtoi se situata e tyre është përkeqësuar për shkak të ndërhyrjes ushtarake të Turqisë në Siri dhe mundësisë që forcat qeveritare siriane të marrin kontrollin e kampeve që deri më tash janë kontrolluar nga kurdët.
Qeveria e Holandës ka thënë se është tejet e rrezikshme që zyrtarët holandezë të shkojnë në kampe dhe t’i gjejnë e t’i kthejnë gratë.
Avokatët e shtetit e përsëritën këtë argument në gjykatë dhe thanë se gratë nuk e kanë të drejtën e ndihmës konsullore holandeze në kampe.
Sipas Kryqit të Kuq ndërkombëtar, rreth 68,000 luftëtarë të mundur të Shtetit Islamik dhe familjet e tyre mbahen në kampin al-Hol.
Ata janë mbajtur nën kujdestarinë e forcave kurde të Sirisë, pasi këto të fundit kanë marrë kontrollin e enklavës nga grupi xhihadist Shteti Islamik.
Sipas shifrave të Agjencisë holandeze të Inteligjencës, në Sirinë veriore ndodhen 55 militantë të Shtetit Islamik që kanë shkuar nga Holanda dhe së paku 90 fëmijë me prindër holandezë, ose prindër që kanë jetuar për një kohë të konsiderueshme në Holandë.
Gjykata do të marrë vendim më 11 nëntor për gratë që duan të kthehen në Holandë.