Diplomatja bullgare jep disa teori për marrëveshjen Kosovë-Serbi!

Ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, në një diskutm të organizuar nga ECFR ( European Council on Foreign Relations) ka folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, idenë e korrigjimit të kufijve, rezultatin e mundshëm final të dialogut dhe parimet mbi bazën e të cilave po zhvillohen negociatat në mes të Prishtinës dhe Beogradit.


Kryediplomatja bullgare, Ekaterina Zaharieva, ka thënë se përpara zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ketë një lloj presioni për të pasur ndonjë progres në raport me dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit por thotë se pavarësisht kësaj nuk do të mund të ndodh asgjë pa përfunduar zgjedhjet në Serbi.

“Pajtohem me atë që thatë ju se përpara zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ketë presion për të pasur ndonjë progres lidhur me dialogun(Kosovë-Serbi), por përpara zgjedhjeve në Serbi asgjë nuk do të mund të ndodh. Pra le ta marrim këtë gjë në konsideratë”, ka thënë Zaharieva, raporton Gazeta Express.

Ajo ka thënë se s’mund të pritet kurrfarë progresi në dialog para zgjedhjeve në Serbi pasi sipas saj është shumë e vështirë të merren vendime jopopullore në prag të zgjedhjeve.

“Jam e bindur që përpara zgjedhjeve në Serbi ne nuk mund të presim ndonjë progres real përpara dhe sinqerisht kjo nuk është ndonjë gjë surprizë, sepse duket shumë logjike. Përpara zgjedhjeve është shumë e vështirë të implementosh vendime jopopullore”, ka potencuar ajo.

Zaharieva tutje ka folur edhe për idenë e shumë diskutuar të korrigjimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes të cilës do të mund të shkohej drejt një marrëveshje finale.

Ajo ka thënë se deklarimet e pak dite më parë të Josep Borell për këtë ide janë thjesht qëndrime personale të tij dhe se nuk ka ndonjë vendim të Këshillit Evropian lidhur me një çështje të tillë.

Kryediplomatja bullgare gjithashtu ka thënë se brenda Bashkimit Evropian por dhe gjithashtu edhe në Ballkanin Perëndimor ka shumë pasiguri dhe ndasi sa i përket dialogut dhe asaj se si duhet të ecet përpara.

“Borell e ka bërë atë deklaratën të cilën edhe unë e dëgjova, kështu që nuk është sekret që shtetet e BE’së , por jo vetëm atje, por edhe në vendet fqinje në Ballkanin Perëndimor ka shumë pasiguri dhe ndasi. Disa nga to, pra vendet e Ballkanit Perëndimor janë të shqetësuara që përfundimi i këtij dialogu mund të jetë një shkëmbim territorial. Por ajo se çfarë ka thënë Josep Borell për mua është një opinion personal. Një deklaratë e tillë nuk ishte një vendim i Këshillit. Për më tepër është shumë herët tani që dikush të jap qëndrime hipotetike rreth kësaj çështje”, ka shtuar ajo.

Megjithatë ajo thekson se aktualisht s’ka asgjë konkrete në tavolinë dhe se s’ka kushte për implementimin e një ideje të tillë edhe nëse do të ekzisotne. Në këtë pikë Zaharieva ka ngritur një sërë pyetjesh për mënyrën se si do të mund të implementohej një marrëveshje për shkëmbim territoresh.

Sipas saj duhet të dihet nëse do të ketë edhe shkëmbim të njerëzve, çfarë do të ndodh me serbët që do të vazhdojnë të jetësojnë në Kosovës dhe çfarë me shqiptarët që do të mbesin në Serbi. Dhe gjithashtu ka thënë se duhet ditur nëse do të përfshihej edhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“S’ka asgjë konkrete në tavolinë dhe s’ka as kushte për një ide të tillë nëse do të ekzistonte një e tillë.  A do të përfshinte njohjen e Kosovës nga Serbia, a do të përfshijë shkëmbimin e njerëzve, çfarë do të ndodh me serbët të cilët mbesin në Kosovë dhe anasjelltas me shqiptarët që mbesin në Serbi”, ka shtuar tutje ajo.

Zaharieva ka thënë se ka shumë gjëra të paqarta rreth kësaj teme dhe se aktualisht nuk është në agjendë marrë parasysh që nuk ekzistojnë kurrfarë kushtesh për rinisje të dialogut.

“Ka shumë pyetje rreh kësaj çështje dhe opinioni im është se një çështje e tillë nuk është në agjendë, marrë parasysh dhe faktin që nuk ekzistojnë kushte politike për rivendosje të dialogut”, ka potencuar ndër të tjera.

Ajo ka folur edhe për ndasi brenda Bashkimit Evropian dhe shteteve të tjera dhe gjithashtu në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se tema e korrigjimit të kufijve nuk ka mbështetje meqenëse edhe kushtet e dialogut vazhdojnë të mbesin të paqarta.

Ekaterina Zaharieva ka thënë se do të ishte plotësisht ndryshe nëse do të dihej që njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia do të ishte synim përfundimtar.

“Me të vërtetë hapat e parë janë bërë duke i hequr barrierat tregtare por unë besoj se aktualisht në Bashkimin Evropian dhe në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe shtetet tjera nuk ka pajtueshmëri të plotë apo mbështetje të kësaj teme marrë parasysh se kushtet e dialogut vazhdojnë të mbesin të paqarta. Do të ishte komplet ndryshe nëse kjo do të përfshinte njohjen e Kosovës”, ka thënë ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva në diskutimin e organizuara nga ECFR.

Related posts

Rriten çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut

KFOR: Ishim të informuar për patrullimin e ushtrisë serbe pranë vijës kufitare

ZV/kryeministri i Malit të Zi: Kosova është krahinë e Serbisë