Gordon Sondland, ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian ka thënë se ka mbajtur të informuar Departamentin amerikan të Shtetit dhe Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, në përpjekjet për t’i bërë presion Ukrainës që të hetojë një rival politik në këmbim të ndihmës ushtarake, duke thënë se në këtë situatë ka ekzistuar kushtëzimi.
Në Shtetet e Bashkuara ky veprim njihet si “quid-pro-quo”.
Në fjalimin e përgatitur për 20 nëntor para Dhomës së Përfaqësuesve, e cila është duke kryer hetimet për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump, Sondland ka konfirmuar se ka biseduar në telefon me Trumpin, një ditë pasi presidenti i ka bërë presion liderit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy për të hetuar rivalin e tij politik, Joe Biden.
Sondland ka thënë se ka ndjekur “urdhrat e presidentit” ku është marrë me Ukrainën dhe se ka punuar me avokatin personal të Trumpit, Rudy Giuliani.
Deklaratat e Sondlandit mund të konsiderohen goditje kritike për Shtëpinë e Bardhë e cila insiston se nuk ka pasur lidhje në mes të ndihmës ushtarake apo vizitës së presidentit ukrainas në Shtëpinë e Bardhë dhe hetimeve për Bidenin dhe djalin e tij, Hunter.
Mbrojtësit e Trumpit kanë theksuar se nuk ka ekzistuar ndonjëherë kushtëzimi.
Sondland ka thënë se ai i ka treguar nën-presidentit amerikan, Mike Pence shqetësimet se ndihma ushtarake për Ukrainën “është bërë e lidhur” me hetimet.
“Të gjithë kanë qenë të përfshirë. Nuk ka qenë sekret”, ka thënë ai.
Komentet e tij vijnë teksa Dhoma e Përfaqësueve është duke mbajtur senaca publike në hetimet rreth Trumpit.
Ligjvënësit janë duke hetuar nëse Trump ka abuzuar me pushtetin kur ka tentuar të kërkojë ndihmë nga një qeveri e huaj për të heruar Bidenin, kundërsharin e tij potencial në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Hetimet kanë nisur pas zbulimit të një bisede të 25 korrikut në mes të presidentit Trump dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.
Informatori është ankuar duke pretenduar se Trump “ka përdorur pozitën e tij për të kërkuar ndihmë nga një shtet i huaj”, në prag të procesit zgjedhor për një mandat tjetër presidencial.
Trump e ka konsideruar hetimin për shkarkim si “mashtrim” mirëpo e ka pranuar se “i ka vështirësuar punën”.
Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka fuqi për të shkarkuar presidentin për “shkelje të rënda dhe keqbërje”.
Kjo është hera e katërt në historinë amerikane që ka nisur një procedurë për shkarkim të presidentit, ndonëse asnjëri prej presidentëve nuk është larguar nga pozita përmes këtij procesi./REL