Ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch, të cilën Presidenti i SHBA-së Donald Trump përpara se ta bënte pjesë të administratës e ka quajtur “lajm të keq”, ishte në qendër të vëmendjes të premten.
Ajo ka dëshmuar në seancën e dytë dëgjimore të hetimit të Presidentit Trump.
Seanca përpara Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve është pjesë e një hetimi të drejtuar nga Demokratët, vjen në një kohë kur presidenti kërkon votën për një mandat të dytë në zgjedhjet e nëntorit të 2020.
Në maj të këtij viti, Marie Yovanovitch u hoq nga posti i saj si ambasador në Kiev.
Yovanovitch u sulmua nga avokati personal i Trump, Rudy Giuliani, në kohën kur ai po përpiqej të bindte Ukrainën që të kryente dy hetime që do ti sillnin përfitime politike presidentit republikan.
Ndërkohë, në një deklaratë, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, tha se Presidenti Trump nuk do ta ndjek të gjithë seancën dëgjimore.
“Presidenti do të ndjek fjalën e Kongresmenit Nunes, por për pjesën tjetër të ditës, do të punojë fort për amerikanët” tha Grisham në deklaratë.
Në fjalën e tij, Përfaqësuesi Republikan Devin Nunes, kritikoi demokratët duke i cilësuar zhvillimet e fundit si “një shfaqje teatrale televizive, në vend që të punonin për legjislacione si marrëveshjet tregëtare apo financimi i qeverisë”.
Nga ana tjetër, Kreu i komitetit të inteligjencës në rradhët e Demokratëve, Adam Schiff, përgëzoi Marie Yovanovitch, për qëndrimet e saj kundër korrupsionit, gjatë kohës së saj në Kiev.
Schiff citoi George Kent, i cili dëshmoi gjatë së mërkurës, “Nuk mund të përkrahësh veprimet kryesore anti-korrupsion, pa tërbuar më parë ata që janë të korruptuar”.