Forcat paraushtarake afgane të mbështetura nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) po ekzekutojnë civilë gjatë sulmeve dhe janë përgjegjës për zhdukjen e të dyshuarve, tha organizata Human Rights Watch (HRW) në një raport të saj të publikuar më 31 tetor.
HRW dokumentoi 14 raste nga fundi i vitit 2017 deri në mesin e vitit 2019 në të cilat thuhej se këto grupe kryen abuzime të rënda gjatë sulmeve, siç është rasti një në provincë juglindore në të cilën një skuadër paramilitare vrau 11 burra, përfshirë tetë të cilët ishin në shtëpi për festat e Bajramit.
Sipas raportit, në disa raste, forcat paraushtarake kryen arrestime dhe nuk i njoftuan familjet e të arrestuarve se ku po mbaheshin ata.
“Në fuqizimin e operacioneve kundër talibanëve, CIA i ka mundësuar forcave afgane të kryejnë mizori, përfshirë ekzekutime jashtëgjyqësore dhe zhdukje”, tha Patricia Gossman, autore e raportit.
Në disa raste, bastisjet që zakonisht ndodhin në zona të kontrolluara nga talibanët u mbështetën nga sulmet ajrore që “pa dallim ose në mënyrë disproporcionale” vranë civilë, tha HRW.
Sipas të dhënave të publikuara këtë javë nga NATO-ja, Shtetet e Bashkuara kryen 1.113 sulme ajrore dhe artilerie në shtator, që shënon një rritje nga muajt e mëparshëm.
Agjencia Qendrore e Inteligjencës amerikane e ka hedhur poshte raportin e HRW, duke thënë se shumë prej pretendimeve kundër forcave speciale afgane “me gjasë ishin false ose të ekzagjeruara”.
Zëdhënësi i CIA-s, Timothy Barrett tha se operacionet e agjencisë jashtë vendit kryhen “në përputhje me ligjin dhe nën një sistem të fuqishëm të mbikëqyrjes”. Barrett akuzoi talibanët për përhapjen e dezinformatave dhe vuri në dukje se militantët nuk operojnë sipas ndonjë rregulli të ngjashëm.
“Për dallim nga talibanët, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit”, shtuan zyrtarët e CIA-s.
“Ne as nuk pajtohemi dhe as nuk do të merrnim pjesë me vetëdije në aktivitete të paligjshme, dhe vazhdimisht punojmë me partnerët tanë të huaj për të promovuar zbatimin e ligjit”, tha Barrett.
Milicitë e mbështetura nga CIA në Afganistan, shihen si një resurs i rëndësishëm në luftën kundër talibanëve dhe militantëve të Shtetit Islamik.
Grupe të tilla paraushtarake janë zyrtarisht nën Drejtorinë Kombëtare të Sigurisë (NDS) të Afganistanit, por shpesh veprojnë pothuajse të pavarura nga autoritetet afgane.
Një raport i Kombeve të Bashkuara në fillim të këtij muaji thoshte se 1.174 civilë u vranë dhe 3.139 të tjerë u plagosën në Afganistan nga korriku deri në shtator të këtij viti – një rritje prej 42 përqind nga periudha e vitit të kaluar. /REL