Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian Jospeh Borrell, ka thënë se dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë bëhet me lehtësimin e BE-së, por se angazhimi i partnerëve ndërkombëtarë është i mirëseardhur.
Në një intervistë për të përditshmen kroate, euractiv.jutarnji, Borrell ka thënë se që në vizitave të tij në Kosovë dhe në Serbi në janar, ka bërë të ditur se për BE-në , Ballkani Perëndimor është një çështje me shumë prioritet.
“Siç tregova gjatë vizitës sime në janar në Kosovë dhe Serbi, Ballkani Perëndimor është prioritet për BE-në dhe për mua personalisht. Unë jam i përkushtuar të mbështes avancimin në Dialogun e lehtësuar nga BE, në rolin tim si lehtësues. Për të ndihmuar në rritjen e angazhimit dhe përpjekjeve të mia, vendosa të caktoj një Përfaqësues Special për Dialogun dhe Ballkanin Perëndimor”, tha Borrell.
Ai shtoi se ‘angazhimi në mbështetje të Dialogut të lehtësuar nga BE nga Shtetet Anëtare, si dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, është natyrisht i mirëseardhur’.
Kujtojmë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës së fundi kanë shfaqur mospërputhje në qëndrime sa u përket zhvillimeve në Kosovë. Nga zyra e Borellit e kanë mirëpritur vendimin e Albin Kurtit për pezullim të pjesshëm të taksës, ndërkohë emisari i Trumpit, Richard Grenell, ka thënë se SHBA-ja nuk e përkrah një vendim të tillë dhe se Kurti është duke bërë një gabim të rëndë, meqë s’po e heqë taksën plotësisht dhe pa kushte shtesë.
E Richard Grenell, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, pa e përfshirë fare Bashkimin Evropian, Gjermaninë dhe Francën, ka ndërmjetësuar tri marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa është duke vazhduar përpjekjet e tij për të ulur në tavolinën e bisedimeve palët nga Kosova dhe Serbia.