Bolton, i gatshëm të dëshmojë në gjykimin e Trumpit

Ish-këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, tha se është i gatshëm të dëshmojë në gjykimin e presidentit amerikan, Donald Trump, në Senat.


“Kam konstatuar se, nëse Senati lëshon thirrje për dëshminë time, unë jam i përgatitur të dëshmoj”, tha të hënën Bolton.

Më herët, ai ka vepruar në përputhje me udhëzimet e Shtëpisë së Bardhë për të mos bashkëpunuar me hetimet që po udhëheqin demokratët kundër presidentit Trump.

Nëse lejohet, Bolton do të ishte ish-këshilltari më i lartë i Trumpit që do të dëshmonte.

Trump, republikan, është fajësuar muajin e kaluar nga Dhoma e Përfaqësuesve – e cila udhëhiqet nga demokratët – për dy akuza: shpërdorim të detyrës dhe pengim të punës së Kongresit.

Gjykimi i tij kalon tani në Senat.

Nëse Senati e shpall fajtor – gjë që thuhet se ka pak gjasa pasi ky institucion kontrollohet nga republikanët – Trump do të shkarkohej nga detyra.

Gjykimi në Senat nis kur demokratët t’i paraqesin formalisht akuzat atje dhe ata nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë.

Deri më tash, Senati u ka rezistuar kërkesave të demokratëve që në gjykim të paraqiten edhe dëshmitarët.

Njoftimi i Boltonit mund të rrisë presionin mbi udhëheqësin republikan të Senatit, Mitch McConnell, për të lejuar dëshmitë.

Për çfarë akuzohet Trump?

Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili mund të jetë rival i tij në zgjedhjet e vitit 2020, dhe djalin e tij Hunter.

Hunter ka punuar për një kompani ukrainase, kur Joe Biden ka qenë nënpresident i SHBA-së.

Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump akuzohet se ka mbajtur dy gjëra pezull: ndihmën ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas.

Me këto veprime, sipas demokratëve, Trump ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare.

Trump akuzohet edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime.

Related posts

Donald Trump drejt fitores në zgjedhje

Avionët e parë luftarakë F-16 mbërrijnë në Ukrainë

Izraeli: Konfirmohet vrasja e liderit ushtarak të Hamasit, Deif