BE-ja do të pranojë disa fëmijë migrantë të bllokuar në Greqi

Pesë shtete evropiane janë pajtuar për të strehuar disa fëmijë migrantë, të cilët janë bllokuar në Greqi, në kohën e vazhdimit të tensioneve në kufirin greko-turk.


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka falënderuar Finlandën, Francën, Gjermaninë, Luksemburgun dhe Portugalinë.

Ende nuk është bërë e ditur sa fëmijë do t’i strehojë secili vend, ndonëse mediat gjermane kanë thënë se 1,500 do të jenë në tërësi.

Fëmijët që do të strehohen është thënë se janë të pashoqëruar ose shumë të sëmurë.

Kjo pasi edhe kampet e migrantëve aktualisht janë të stërmbushura.

Dhjetëra mijëra migrantë dhe refugjatë janë bllokuar në zonën mes kufirit të Turqisë dhe Greqisë, hapësirë në të cilën rojet kufitare greke kanë hedhur gaz lotjsellës dhe topa uji për të mbajtur migrantët larg.

Shumë persona që gjenden aty janë sirianë që i kanë ikur luftës civile në vendin e tyre, ndonëse mendohet se ka edhe afganë dhe pakistanezë, që synojnë të krijojnë jetë të re në Bashkimin Evropian.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan do të zhvillojë takime me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian, von der Leyen, për të diskutuar këtë situatë.

Në një konferencë për media të mbajtur gjatë ditës, von der Leyen ka thënë se Turqia duhet të largojë azilkërkuesit nga kufiri, në kuadër të zgjidhjes për t’i dhënë fund krizës së migrantëve.

Mirëpo ajo ka thënë edhe se “duhet respektuar të drejtat themelore, duke përfshirë të drejtën për azil”.

Ajo duket se ka synuar t’ia rikujtojë Greqisë përgjegjësitë që ka, pasi autoritetet atje, pas problemeve me flusin e ri të migrantëve, kanë pezulluar dhënien e azilit për një muaj.

Related posts

Donald Trump drejt fitores në zgjedhje

Avionët e parë luftarakë F-16 mbërrijnë në Ukrainë

Izraeli: Konfirmohet vrasja e liderit ushtarak të Hamasit, Deif