Qeveria e Kosovës thotë se po i heq kufizimet në tregti nga Serbia në një pikë kufitare, 16 muaj pasi i ndaloi importet për ta parandaluar atë që tha se mund të ishin dërgesa të fshehura armësh për separatistët serbë.
Mediat ndërkombëtare, me në krye Associated Press kanë shkruar për vendimin e Qeverisë së Kosovës për të lejuar hyrjen e produkteve nga Serbia, 16 muaj pasi i ndaloi ato. Lajmin e ka shpërndarë edhe mediat e tjera ndërkombëtare, si ABC News e të tjera.
Rihapja është në përputhje me përpjekjet e partnerëve perëndimorë për ta promovuar pajtimin dhe bashkëpunimin midis dy vendeve fqinje të Ballkanit. Tensionet mes tyre u ndezën në maj 2023 kur policia e Kosovës i mori ndërtesat komunale në komunitetet me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku banorët refuzuan kryetarët shqiptarë etnikë të zgjedhur në një votim të bojkotuar nga serbët.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se pika kufitare Merdar do të rihapet me monitorim të përforcuar dhe praktik të mallrave nga zyrtarët doganorë në një lokacion vetëm 300 metra larg kufirit.
Pesë pikat e tjera kufitare do të hapen pasi të mund të pajisen me skanerë, tha ai.
Kosova ka përmendur katër depo të mëdha të armëve që Kurti thotë se mund të ishin sjellë përmes kufirit të maskuara si tregti, si dhe lëvizjet e trupave nga Serbia pranë kufirit, si arsye për lëvizjen e saj në qershor 2023.
“Këto ishin masa sigurie, asnjëherë tregtare”, u tha Kurti gazetarëve të hënën.
Mediat lokale në Kosovë kanë raportuar se Gjermania e paralajmëroi Kosovën se nëse nuk e rivendos tregtinë, ajo mund të përjashtohet nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA) dhe Procesi i Berlinit, që synon rritjen e bashkëpunimit ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.
AP shkruan se BE-ja dhe SHBA-ja po u bëjnë presion Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë marrëveshjet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e arritën në shkurt dhe mars të vitit të kaluar. Mediumi kujton se ajo përfshin zotimin e Kosovës për ta themeluar një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe. Serbia pritet gjithashtu të japë njohjen de facto të Kosovës, të cilën Beogradi ende e konsideron krahinë të saj.
Paqeruajtësit ndërkombëtarë të udhëhequr nga NATO, të njohur si KFOR, e kanë shtuar praninë e tyre në Kosovë pas tensioneve të vitit të kaluar.