Të gjitha ambasadat dhe konsullatat izraelite në mbarë botën janë mbyllur që nga sot në mëngjes pasi diplomatët dhe atasheu ushtarak janë në grevë për një mosmarrëveshje të gjatë me Thesarin për kostot e paguara për të dërguarit diplomatikë.
Masa, e koordinuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrojtjes dhe Federata e Punës Histadrut, erdhi pasi Thesari raportohet se tërhoqi marrëveshjet e mëparshme dhe tha se do të detyrojë të dërguarit diplomatikë të kthejnë mijëra dollarë që u ishin dhënë për shpenzime, raporton ‘Times of Israel’.
Mbyllja e ambasadave dhe konsullatave hyri në fuqi në 01.00 të mëngjesit në kohën e Izraelit.
Vendimi i Ministrisë së Financave të Izraelit për të shkelur marrëveshjet e dakorduara dhe të firmosura nga drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave më 21 korrik 2019 dhe për të aplikuar një procedurë të njëanshme që ndryshon protokollin që ka qenë në fuqi për disa dekada, na ka detyruar të mbyllim ambasadën, sipas njoftimeve për shtyp të publikuara në ueb faqet e shumë misioneve.
Shërbimet konsullore nuk do të ofrohen dhe askush nuk do të lejohet të hyjë në ambasadë ose konsullatë, thuhet në deklaratë.
Mosmarrëveshja u ngrit për koston e diplomatëve izraelitë dhe të dërguarve të ministrisë së Mbrojtjes të stacionuar jashtë vendit, të cilat duhet të mbulojnë një gamë të gjerë të kostove, nga pritja e ngjarjeve në rezidencën e ambasadorit deri te shpenzimet e transportit, transmeton KosovaPress.
Ministria e Financave është duke u përpjekur të ndryshojë mënyrën e kompensimit të kostove, gjë që do të prekte ndjeshëm diplomatët dhe atashetë, të cilët prej kohësh janë ankuar për paga të ulëta.
Ministria gjithashtu dëshiron të imponojë një sistem të ri në mënyrë retroaktive, që do të thotë se të dërguarit diplomatikë duhet të kthejnë mijëra dollarë.