Akuzohet për marrje ryshfeti, zëvendës-ministri rus i Mbrojtjes lihet në paraburgim

Një zëvendësministër rus i Mbrojtjes është akuzuar për marrje ryshfeti dhe është lënë në paraburgim nga një gjykatë në Moskë.


Sipas mediave të huaja, Timur Ivanov, i cili mohon akuzat, akuzohet për pranim ryshfeti “në një shkallë veçanërisht të madhe”.

I emëruar në Ministrinë e Mbrojtjes në vitin 2016, Ivanov, 47 vjeç, ka qenë përgjegjës për projektet e infrastrukturës ushtarake të Rusisë.

Aktivistët kanë kritikuar prej kohësh nivelet e korrupsionit të dyshuar në Rusi.

Megjithatë, raste të tilla të profilit të lartë kanë qenë të rralla që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Ivanov konsiderohet aleat i ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe ka punuar me të për shumë vite. Ai ka qenë më parë zëvendëskryeministër i rajonit të Moskës, ku Shoigu shërbeu për një kohë të shkurtër si guvernator.

Kremlini ka hedhur poshtë raportimet në disa media ruse se arsyeja e vërtetë për arrestimin e Ivanov ishte se ai dyshohej për tradhti.

“Ka shumë interpretime të ndryshme rreth gjithë kësaj tani… Ju duhet të përqendroheni në informacionin zyrtar,” u tha gazetarëve zëdhënësi Dmitry Peskov.

Ai gjithashtu deklaroi se presidenti Vladimir Putin ishte njoftuar paraprakisht për ndalimin e Ivanov.

Related posts

Gjashtë lajme të rëndësishme nga Zvicra që duhet t’i lexoni këtë javë

Evropa shënon rekord të ri të popullsisë me mbi 450 milionë banorë

Tre shqiptar të vdekur dhe 4 të lënduar në një aksident të rëndë trafiku në Koblenz të Gjermanisë