Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor, në Gjimnazin “Skënderbeu” në Preshevë u zhvilluan një sërë aktivitetesh sensibilizuese dhe edukative nën udhëheqjen e bashkëpunëtorëve profesionalë të shkollës, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e shëndetit mendor dhe nxitjen e kujdesit ndaj mirëqenies emocionale dhe psikologjike te të rinjtë.
Në fillim të ditës u shfaq një video-mesazh i përgatitur nga psikologet, profesorët e psikologjisë dhe vetë nxënësit, me mesazhe frymëzuese për kujdesin ndaj shëndetit mendor dhe rëndësinë e mbështetjes reciproke.
“Të rinjtë tanë duhet të mësojnë se të flasësh për ndjenjat dhe emocionet nuk është dobësi, por një hap i rëndësishëm drejt mirëqenies dhe vetëdijes emocionale,” tha psikologia e gjimnazit “Skënderbeu”, Amire Ahmedi, për PreshevaPRESS.
Më pas, gjatë një ligjërate mbi shëndetin mendor, nxënësit patën mundësinë të diskutojnë hapur për stresin, emocionet dhe mënyrat e menaxhimit të tyre, duke ndarë përvoja dhe ide mbi mënyrën se si mund të ruajnë ekuilibrin emocional në jetën e përditshme.
Atmosfera në shkollë u gjallërua edhe gjatë pushimit të gjatë, kur nxënësit shpërndanë lapse me mbishkrime motivuese dhe pozitive për bashkëmoshatarët e tyre dhe vendosën fjongo të gjelbra, simbol i shëndetit mendor. Në koridorin kryesor u vendos edhe një pasqyrë e zbukuruar me mesazhe inkurajuese, ku nxënësit fotografoheshin pranë saj si një formë reflektimi dhe vetëvlerësimi.
“Përmes videove, afirmimeve pozitive dhe punimeve kreative, nxënësit u angazhuan aktivisht dhe kuptuan se kujdesi për shëndetin mendor mund të jetë edhe i këndshëm, ndërsa mbështetja reciproke e bën më të fortë komunitetin e shkollës,” shtoi psikologia Ahmedi, duke folur për aktivitetet e zhvilluara në kuadër të 10 tetorit.
Dita përfundoi me një punim kreativ për murin e shkollës, ku nxënësit realizuan vizatime dhe shkruan mesazhe kushtuar rëndësisë së kujdesit për mendjen, duke përcjellë mesazhin se shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa edhe ai fizik.
Këto iniciativa sollën një atmosferë reflektuese dhe motivuese në ambientet e shkollës, duke e kthyer Ditën Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor në një hapësirë dialogu dhe vetëdijesimi për sfidat me të cilat përballen të rinjtë në përditshmëri.