Reisu-l-Ulema i Bashkësisë Islame të Serbisë, Nexhmedin Saqipi, ka dhënë sqarime lidhur me pjesëmarrjen e tij në paradën e Ushtrisë Serbe në Beograd, e cila kishte shkaktuar reagime të ndryshme nga qarqe vendore dhe shqiptare.
Gjatë një kyçjeje online në emisionin Kosova Live të televizionit T7, Saqipi deklaroi se pjesëmarrja e tij ishte e ftuar nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë dhe se qëllimi kryesor ishte përfaqësimi i Bashkësisë Islame dhe përcjellja e një mesazhi për paqen, tolerancën dhe bashkëjetesën ndërfetare.
“Jam i gatshëm të përballem dhe të debatoj hapur me të gjitha strukturat, përfshirë edhe ato politike, në çdo format që dëshirojnë. Nuk kam frikë,” tha ai.
Saqipi sqaroi gjithashtu se pjesëmarrja nuk ishte një refuzim i mundësive për t’u larguar, por një përgjegjësi që lidhej me përfaqësimin e komunitetit mysliman, duke nënvizuar se “në këtë kontekst nuk përfaqësoja vetëm shqiptarët, por një gjysmë milioni myslimanë. Megjithatë, nuk kam promovuar paradën ushtarake.”
Ai theksoi se Bashkësia Islame e Serbisë do të vazhdojë të kontribuojë në ndërtimin e paqes sociale dhe respektimin e diversitetit. Në fund të intervistës, Saqipi kritikoi analizat që po bëheshin nga opinioni kosovar, duke deklaruar se shqiptarët e Luginës jetojnë në Serbi dhe se analiza e disa opinionistëve mungon informacioni i nevojshëm.
“Analistët që po komentojnë pjesëmarrjen time shpesh nuk kanë informacionet dhe përgatitjet e nevojshme. Ne jetojmë në Serbi, sepse Kosova na ka lejuar të jetojmë këtu,” përfundoi ai.