Shtëpia e Kulturës “Abdulla Krashnica” dhe Teatri i Qytetit në Preshevë do të organizojnë manifestimin kulturor-artistik “Ditët e Diasporës – Presheva 2026”, i cili do të mbahet më 1, 2 dhe 3 gusht 2026, me fillim nga ora 19:30.
Sipas programit të publikuar nga organizatorët, aktivitetet do të zhvillohen si më poshtë:
- 1 gusht – Në oborrin e Shtëpisë së Kulturës do të mbahet koncerti i mirëseardhjes me pjesëmarrjen e SHKA “Presheva” nga Presheva dhe Korit të Grave “Nexhmije Pagarusha” nga Prishtina.
- 2 gusht – Në sallën e madhe të Shtëpisë së Kulturës do të shfaqet premiera e Teatrit të Qytetit të Preshevës “Vetmi në Perëndim”, me tekst të Martin McDonaugh, regji të Afeida Boriçit dhe interpretuar nga aktorët Artan Ibishi, Gani Veseli, Eljesa Idrizi dhe Valon Nuhiu.
- 3 gusht – Në sallën e madhe do të shfaqet drama “Ikja nga Gjermania”, me tekst të Ilir Ajdinit, regji të Lendi Aliut, ndërsa në role interpretojnë Bleron Hevziu dhe Arlind Fejzullahu.
Organizatorët kanë ftuar qytetarët dhe mërgatën që të marrin pjesë në këtë manifestim kulturor, duke i uruar mirëseardhje të gjithë të interesuarve.




