Pikturat e bukura të Vanesës u ekspozuan në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë.
Vanesa Lika tashmë është emri më i ri i suksesit në fushën e pikturimit në shtetin zviceran dhe në mbarë shqiptarinë. Që në shikim të parë Vanesa përçon pozitivitet me buzëqeshjen e saj, ndërkohë që në pikturat e saj gërsheton ngjyrat më të bukura, duke dhuruar profesionalizëm.
Ajo çfarë e shquan më shumë atë, është mjeshtria e portretizimit të femrave shqiptare me veshje kombëtare.
Pozitiviteti, energjia e punës dhe ambiciet për jetën, janë tri shtyllat kryesore për Vanesen dhe asnjëherë nuk i ndali përpjekjet duke punuar për ëndrrat e saj.
Ajo ka lindur në Gjenevë, rrjedh nga një familje shqiptare, prindërit e së cilës janë me prejardhje nga Kaçaniku.
“Kam përfunduar shkollën fillore këtu në Gjenevë, tani jam studente në Fakultetin e Shkencave të Edukimit në Universitetine Gjenevës. Përveç kësaj, jam edhe anëtare e kryesisë së Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Gjenevës, me të cilët organizojmë evente të ndryshme për të promovuar kulturën shqiptare”, tregon ajo.
Vanesa, ekskluzivisht për revistën albinfo.ch, ka rrëfyer jetën e saj, arritjet, profesionin, në veçanti pikturimin.
“Unë kam lindur në Zvicër, por prindërit e mi më kanë folur shqip në shtëpi. Prandaj, kur fillova shkollën në Gjenevë, nuk dija të flisja frëngjisht. Natyrisht, jam rritur me kulturën shqiptare dhe kam ndier dallimin me shoqërinë time zvicerane në disa raste, por kjo nuk më ka penguar shumë. Komuniteti shqiptar këtu në Gjenevë dhe në Zvicër në përgjithësi është i madh, kështu që nuk kam ndier shumë mall për Kosovën apo Shqipërinë. Gjithashtu, gjithmonë kam qenë shumë e mirëpritur në shoqërinë zvicerane”.
E pyetur nga revista rreth rrugëtimit të saj kundrejt pikturimit, se si lindi dëshira dhe ideja që ajo të praktikojë këtë fushë që është sa e ndjeshme, aq edhe e bukur, Vanesa u shpreh: “Gjithmonë kam pëlqyer të vizatoj që kur isha e vogël. Ishte një nga aktivitetet e mia të preferuara në shkollë. Në gjimnaz vendosa të zgjedh artet vizuale si opsion specifik, në këtë mënyrë munda të provoja teknika të ndryshme dhe të interesohesha më shumë për historinë e artit. Paralelisht u interesova më shumë për kulturën time të origjinës dhe zhvillova një pasion për elementët tanë folklorikë. Kur fillova të pikturoja më seriozisht, ishte e natyrshme të fokusohem te elementët tradicionalë për pikturat e mia gjithashtu. Është një mënyrë për mua që të shpreh veten dhe të ruaj lidhjen me origjinën time”.
Duke qenë se pikturimi është një profesion dhe në të njëjtën kohë më shumë ndjenjë, Vanesa tregon se fillimisht pikturimin e praktikonte për kënaqësinë e saj personale, të bukurën për veten e saj dhe ishte më shumë se një hobi.
“Gradualisht pashë që njerëzit përreth meje interesoheshin për atë që bëja dhe fillova të pikturoj gjithashtu për të tjerët. Është diçka që më pasionon dhe që më qetëson. Nëse kjo mund të bëhet një profesion për mua, do të ishte ideale”, tregon ajo. /AlbInfo.ch