Sinani: Vetëm 2.28% e projekteve të Preshevës morën mbështetje nga institucionet e Serbisë gjatë këtij viti

Komuna e Preshevës gjatë vitit 2026 ka kërkuar mbi 94 milionë dinarë nga ministritë dhe institucionet e Republikës së Serbisë për projekte lokale, por deri tani ka siguruar vetëm rreth 2.1 milionë dinarë, një pjesë e projekteve janë refuzuar, ndërsa mbi 52 milionë dinarë të tjera mbeten ende në pritje të vendimeve.


Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka publikuar sot një video-mesazh në të cilin ka paraqitur të dhënat e komunës për aplikimet në thirrjet publike të institucioneve qendrore të Serbisë gjatë vitit 2026.

Sipas saj, komuna ka aplikuar me projekte në vlerë të përgjithshme prej 94 milionë e 135 mijë dinarësh, në fusha si infrastruktura, arsimi, kultura, rinia, mbrojtja e mjedisit, energjia, zhvillimi rural dhe shërbimet publike.

Vetëm 2.28% e shumës së kërkuar është miratuar

Nga vlera totale e projekteve të paraqitura, Sinani tha se deri në këtë fazë janë aprovuar vetëm 2.1 milionë dinarë, që përbëjnë 2.28% të shumës së përgjithshme.

Ndërkohë, mbi 52 milionë dinarë të projekteve janë ende në pritje të vendimit, ndërsa 39 milionë dinarë janë refuzuar.

Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e mjeteve të kërkuara nga Komuna e Preshevës nuk është financuar ende, megjithëse për një pjesë të tyre procedurat nuk kanë përfunduar.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Sinani, në mesin e projekteve të refuzuara janë disa investime që lidhen drejtpërdrejt me infrastrukturën dhe institucionet lokale.

Projekt me vlerë më të madhe është ai për vendosjen e paneleve solare për Ndërmarrjen Publike “Moravica” me vlerë prej 32 milionë dinarësh, i cili gjithashtu, sipas kryetares, është refuzuar.

Mbi 52 milionë dinarë ende pa përgjigje

Në anën tjetër, disa projekte me vlerë të konsiderueshme ende nuk kanë marrë përgjigje.

Ndër to janë ndërrimi i kaldajës në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” me vlerë prej 32 milionë dinarësh, blerja e një kamioni për NP “Moravica” në vlerë prej 13 milionë dinarësh, si dhe projekti për gjelbërimin me pemë autoktone në Preshevë – me vlerë prej 5.5 milionë dinarësh.

Në pritje është edhe projekti për rregullimin e hyrjes së objektit multifunksional “Zyra për të Rinj”, me vlerë prej 1.3 milionë dinarësh.

Mbështetja është më e ulët se në vitin 2025

Sipas të dhënave të prezantuara nga ana e Sinanit, gjatë vitit të kaluar Komuna e Preshevës kishte paraqitur 11 projekte me vlerë totale prej rreth 91 milionë dinarësh.

Nga kjo shumë, ishin aprovuar rreth 8.6 milionë dinarë, apo afërsisht 9.5% e vlerës së përgjithshme të projekteve me të cilat ka aplikuar komuna.

Në vitin 2026, deri në fazën aktuale të vendimmarrjes, shkalla e aprovimit është 2.28%.

Sinani: Problemi nuk është mungesa e aplikimeve

Kryetarja e Preshevës thotë se shifrat tregojnë se komuna nuk ka munguar në aplikime dhe se projektet janë përgatitur në vazhdimësi për të siguruar mjete shtesë nga niveli qendror.

“Problemi nuk po qëndron në mungesën e iniciativës apo të aplikimeve nga ana e Komunës së Preshevës”, ka deklaruar Sinani.

Ajo e ka cilësuar nivelin e mbështetjes financiare si shumë të ulët dhe ka thënë se kjo kufizon mundësinë e komunës për investime në infrastrukturë, institucione arsimore e kulturore, mbrojtjen e mjedisit dhe shërbimet publike.

Sinani ka bërë të ditur se do të vazhdojë të aplikojë në thirrjet publike të institucioneve të Republikës së Serbisë, duke kërkuar që në procesin e shpërndarjes së fondeve të merren parasysh nevojat reale zhvillimore dhe niveli i zhvillimit ekonomik të komunave.

Vlen të theksohet se gjatë këtij adresimi nuk u bënë të ditura arsyet e refuzimit të këtyre projekteve apo institucionet specifike që morën këto vendime, ndërkohë që të gjitha shifrat dhe të dhënat u prezantuan verbalisht nga kryetarja Sinani.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Këshilli Komunal i Preshevës zhvillon mbledhjen e XI-të, në fokus bashkësitë lokale dhe buxheti

PreshevaPRESS

Shukri Ymeri emërohet drejtor i shkollës fillore në Raincë

PreshevaPRESS

Diskutim publik në Preshevë për migrimin: Sfidat dhe mundësitë për komunitetin lokal

PreshevaPRESS