Sinani riaktualizon iniciativën për hapjen e pikës kufitare Miratoc–Llojan

Komuna e Preshevës ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkufitar me Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Serbisë rifillimin e iniciativës për hapjen e pikës kufitare Miratoc–Llojan.


Sipas njoftimit të bërë nga kryetarja e Komunës, znj. Ardita Sinani, kjo iniciativë e mbështetur fuqimisht nga komuniteti lokal synon të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, të nxisë zhvillimin ekonomik të zonës, si dhe të forcojë lidhjet sociale, kulturore dhe tregtare ndërmjet dy vendeve fqinje.

“Hapja e kësaj pike kufitare do të kontribuonte në uljen e papunësisë dhe në krijimin e kushteve më të mira për stabilitet dhe bashkëpunim rajonal,” thuhet në deklaratën zyrtare të Sinanit.

Iniciativa për hapjen e kësaj pike kufitare daton që nga viti 2005, por për shkak të ndërlikimeve politike dhe institucionale, ajo nuk ka arritur të konkretizohet. Megjithatë, zhvillimet e fundit ligjore dhe politike janë parë si një mundësi e re për të rifilluar diskutimet në nivel ndërqeveritar.

Komuna e Preshevës ka qenë më parë pjesë e Grupit të përbashkët punues të dy qeverive, por aktivitetet e këtij grupi u ndërprenë në fund të vitit 2022. Tashmë, autoritetet lokale propozojnë që ky grup të rikthehet në funksion dhe të zhvillohen hetime në terren për përcaktimin e lokacionit më të përshtatshëm për funksionimin e pikës kufitare.

Sinani ka theksuar gatishmërinë e plotë të Komunës për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet përkatëse në mënyrë që kjo iniciativë strategjike të bëhet realitet.

Në fund të komunikatës, është bashkëngjitur edhe dokumenti zyrtar i kërkesës drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Enti Parashkollor “8 Marsi” me pamje të re dekorative të rrethojave

PreshevaPRESS

Nesër Presheva mbetet pa energji elektrike

PreshevaPRESS

Sot në Preshevë mbahet seanca e II-të e Kuvendit të Komunës

PreshevaPRESS