Tri ditët e fundit të muajit korrik janë rezervuar nga shtëpia e kulturës në Preshevë si ditët e mërgatës, ditë gjatë t cilave do të i ofrohet një program kulturor bashkatdhetarëve të komunës sonë që po gjinden për pushime në vendlindje.
Sikurse çdo vit edhe kësaj vere, shtëpia e kulturës ”Abdulla Krashnica ” është kujdesur të organizojë aktivitetet kulturore për të i ofruar mërgatës gjatë kohës që po kalojnë pushimet në Preshevë. Përmes një njoftimi në faqen e këtij institucioni në facebook, shtëpia e kulturës ka informuar se tri ditët e fundit të muajit korrik do të i përkushtohen bashkatdhetarëve tanë që po gjinden për pushime në Preshevë.
Gjatë datës 29,30 dhe 31 korrik, në kuadër të programit “Ditët e Mërgatës” për publikun do të prezantohen tri stund up komedi, muzikë e valle. Risi për këtë vit është ndryshimi i lokacionit nga oborri i shtëpisë së kulturës në sheshin e Komunës së Preshevës.
“Shtëpia e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë, në bashkëpunim me Komunën e Preshevës organizojnë manifestimin kulturor kushtuar bashkatdhetarëve tanë.” thuhet në njoftimin e këtij institucioni të publikuar në faqen e tij në facebook.
Edhe pse vite me radhë aktivitetet kulturore të organizuara enkas për bashkatdhetarët tanë që jetojnë nëpër vende të ndryshme të botës e që gjatë verës kalojnë pushimet në Preshevë organizohen nga shtëpia e kulturës, kjo gjë kësaj here duket se i ka penguar të parit të Komunës së Preshevës, z.Shqiprim Arifi.
Ai përmes një postimi në facebook aktivitetin “Ditët e Mërgatës” e ka përvetësuar dhe ka proklamuar si aktivitet të Komunës së Preshevës duke e injoruar institucionin e vetëm publik kulturor në Preshevë dhe duke mos e përmendur fare.
“Ju ftojmë të merrni pjesë në manifestimin kushtuar bashkatdhetarëve tanë, i cili do të mbahet në kuadër të “Ditëve të Mërgatës”, të organizuar nga Komuna e Preshevës.” ka shkruar në faqen e tij në facebook kryetari i Preshevës.
Ky gjest i kryetarit Arifi po shihet si tentim për të zvogëluar pakënaqësitë dhe zhgënjimit të diasporës së Preshevës me udhëheqjen aktuale të Preshevës si pasojë e mosrealizimit të premtimeve nga ana e Shqiprim Arifit.