Pas vendimit të Qeverisë së Serbisë për shpërbërjen e Kuvendit Popullor dhe paralajmërimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, në Luginën e Preshevës janë shtuar thirrjet për bashkim të subjekteve politike shqiptare.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, e ka cilësuar situatën si një moment me peshë të jashtëzakonshme politike dhe kombëtare për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën.
Rexhepi u ka bërë thirrje partive shqiptare që të tejkalojnë, siç është shprehur ai, “bajraktarizmat dhe interesat e ngushta lokale”, duke kërkuar koordinim për krijimin e një liste të përbashkët shqiptare në zgjedhjet parlamentare.
Sipas tij, ekziston një dallim i madh mes mungesës së përfaqësimit dhe mundësisë për sigurimin e një grupi të fuqishëm prej tre deputetësh në Parlamentin e Serbisë, ndërsa kjo, sipas Rexhepit, varet drejtpërdrejt nga aftësia e shqiptarëve të Luginës për t’u bashkuar.
Ai ka kërkuar gjithashtu angazhim më të madh nga Tirana zyrtare dhe ka ftuar ambasadorin e Shqipërisë në Beograd, Bardhyl Canaj, që të intensifikojë takimet me aktorët politikë shqiptarë dhe të kontribuojë në koordinimin e hapave drejt një dokumenti strategjik dhe një liste të vetme zgjedhore.
Në të njëjtën linjë për bashkimin, por duke e vendosur theksin fillimisht tek Bujanoci, është shprehur edhe kryetari i LPD-së, Shqiprim Musliu.
