Rexhepi i KKSH-së: Lugina duhet të përfshihet në dialog

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, është prononcuar për portalin PreshevaPRESS për kërkesat e parashtuara nga Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë takimit të tij me Emisarin e Bashkimit Evropian në Bruksel ditë më parë.


Dy nga kërkesat e paraqitura në takimin e tij ishin për hapjen e tri pikëkalimeve kufitare sezonale, si dhe për fondet në llogaritë bankare të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Rexhepi për portalin PreshevaPRESS tha se Kosova është duke treguar qëndrim të fortë për shqiptarët e Luginës:

“Republika e Kosovës është duke treguar qëndrimin e saj konsekuent, duke paraqitur diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve të Luginës, si çështje të pazgjidhur evropiane. Sepse kjo do të ndihmonte ndjeshëm lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë dhe gjithashtu me anë të bujqësisë fermerët do ta kenë më të lehtë funksionimin,” ka thënë Rexhepi.

Ai më tej shton se “vlerësojmë se ekziston një momentum i ri diplomatik për Luginën e Preshevës.”

Në pyetjen e portalit PreshevaPRESS për pritjet nga bisedimet Kosovë-Serbi, sa do të punojnë ato në favor të shqiptarëve të Luginës, ai shton se mbrojtja e të drejtave për shqiptarët e Luginës është detyrim.

“Sa i përket perspektivës më të gjerë të dialogut Kosovë-Serbi, duhet të theksoj se mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në Luginë nuk është fazë, por është detyrim. Nëse Serbia kërkon të drejtat kolektive për serbët në Republikën e Kosovës, atëherë është logjike dhe e drejtë që shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës dhe të tjerët që jetojnë në Serbi t’u garantohet të njëjtat standarde të trajtimit dhe përfshirjes institucionale,” ka shtuar Rexhepi.

Ai më tej shton se “bisedimet nuk mund të jenë të barazpeshuara nëse Lugina vazhdon të mbetet jashtë agjendës zyrtare apo të trajtohet në mënyrë deklarative, e që nuk mund të ketë stabilitet në Ballkan pa përfshirjen e Luginës së Preshevës.”

Rexhepi në fund thotë se si Këshill Kombëtar Shqiptar do të vazhdojë të jetë partner serioz dhe institucional, që zëri i organizuar i shqiptarëve në Serbi, duke bashkëpunuar ngushtë me Republikën e Kosovës, Shqipërinë, si dhe me faktorin ndërkombëtar.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Kamberi: Integrimit të Serbisë në BE duhet të kaloj përmes avancimit të drejtave të pakicave

PreshevaPRESS

Reagon Sinani, mirëpret kërkesat e parashtruara në Bruksel

Lirigzona Nuredini

Bislimi në Bruksel kërkon zhbllokimin e Fondit të Kosovës për Luginën

Lirigzona Nuredini