Në nder të kontributit të madh të Musa Musahut për futbollin preshevar, Qendra Sportive “Presheva” organizon turneun tradicional në futboll të vogël që mban emrin e tij. Ky aktivitet sportiv mbështetet gjithashtu nga Komuna e Preshevës.
Drejtori i Qendrës Sportive “Presheva”, Besim Nasufi, deklaroi për PreshevaPRESS se për këtë turne pritet të marrin pjesë ekipe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Komuna e Bujanocit, si dhe ekipe vendore nga Presheva. Ai theksoi se kushtet për zhvillimin e lojërave janë përmirësuar ndjeshëm falë vendosjes së barit artificial në fushën e futbollit.
“Presim që të na vijnë ekipe nga Republika e Kosovës, Maqedonia e Veriut, nga Bujanoci dhe Presheva. Tash kushtet janë optimale për lojë, për shkak të barit artificial që është vendosur para disa ditësh,” u shpreh Nasufi.
Turneu do të nisë më 28 maj dhe përveç garës sportive, do të ndahet edhe një Çmim Special nga buxheti i Qendrës Sportive “Presheva”, si dhe çmime për vendin e parë, të dytë dhe të tretë.
Nasufi bëri të ditur se këtë vit janë dyfishuar shpërblimet, me synimin për të tërhequr ekipe më cilësore. “Shpërblimet këtë vit i kemi dyfishuar për të sjellë ekipe më kualitative dhe në fund të turneut do të ndahen kupa dhe medalje për pjesëmarrësit,” shtoi ai.
Turneu tradicional në futboll të vogël “Musa Musahu” organizohet çdo vit nga Qendra Sportive “Presheva”, por ende nuk është konfirmuar zyrtarisht viti i fillimit të këtij aktiviteti.