PVD: VUÇIQ DHE DAÇIQ PO E MBAJNË NË PUSHTET SHQIPRIM ARIFIN

Partia për Veprim Demokratik ka reaguar sot në lidhje me emërtimin e Organit të përkohshëm nga Qeveria e Serbisë për Komunën e Preshevës.


PVD përmes një postimi në faqen e saj në rrjetin social facebook, ka akuzuar Beogradin në lidhje me emërimin e Organit të Përkohshëm, duke shkruar se bashkëpunimi mes Vuçiq dhe Daçiq po rezulton me mbajtjen e Shqiprim Arifit në pushtetin lokal në Preshevë.

“Partia për Veprim Demokratik e konsideron skandaloz vendimin e Qeverisë së Republikës së Serbisë (SNS-SPS) për t’ia mundësuar shumicën vendimmarrëse Shqiprim Arifit në Organin e Përkohshëm.” thuhet në komunikatën e Shërbimit për Informim të PVD-së, të publikuar në rrjetin social facebook.

Kjo parti më tutje ka vazhduar të akuzojë presidentin Vuçiq dhe kryetarin e Parlamentit të Serbisë Daçiq se përmes vendimit për emërimin e Organit të përkohshëm për Komunën e Preshevës, kanë përmbytur rezultatin e vullnetit popullor në Preshevë siç e kanë definuar “me një vendim nga zyrja e Beogradit”.

“Ky vendim i pushtetit në Beograd për ta favorizuar Shqiprim Arifin e shndërron Organin e Përkohshëm në Organ të Dhunshëm, sikurse në kohën e Millosheviqit, kur Beogradi i vendoste qeveritarët e pakicës politike për udhëheqës të Preshevës.” vazhdon akuza e PVD-së në drejtim të Vuçiq dhe Daçiq.

Edhe pse vendimi për emërimin e Organit të përkohshëm për Komunën e Preshevës është marrë nga Qeveria e Republikës së Serbisë, në krye të së cilës është Ana Bërnabiq, në komunikatën e PVD-së, asnjëherë nuk përmendet emri i kryeministres së Serbisë.

Kujtojmë që Organi i përkohshëm për Komunën e Preshevës është emëruar nga Qeveria e Republikës së Serbisë më 12 dhjetorë 2020, vendim ky përmes të cilit është vendosur që kryetar i tij të jetë Shqiprim Arifi, derisa si anëtarë në këtë organ janë: Ragmi Mustafa nga PDSH, Branko Trajkoviq nga partia e Vuçiq, Amir Latifi nga APN, dhe Ardita Sinani nga PVD. Jashtë Organit të përkohshëm është lënë Lëvizja për Reforma e Sami Salihut, parti e cila deri në seancën e fundit të Kuvendit Komunal të Preshevës ka qenë pjesë e koalicionit qeverisës APN-LR-SNS.

Në vazhdim mundeni të e lexoni komunikatën e plotë të PVD-së të publikuar në faqen e kësaj partie në facebook:

Pushteti Vuçiq-Daçiq po e mbanë Shqiprim Arifin në pushtet edhe pse është pakicë politike, por nuk do të mund ta ndalojë vullnetin e shumicës së qytetarëve të Preshevës.

Partia për Veprim Demokratik e konsideron skandaloz vendimin e Qeverisë së Republikës së Serbisë (SNS-SPS) për t’ia mundësuar shumicën vendimmarrëse Shqiprim Arifit në Organin e Përkohshëm.

Jo vetëm që pushteti Vuçiq-Daçiq në Beograd ka vendosur që shumicën e Organit të Përkohshëm ta përbëjë vetëm një pjesë e ish-partnerëve të koalicionit qeverisës komunal, duke e përjashtuar krejtësisht LR e Sami Salihut; por edhe nuk e ka respektuar as kriterin e shumicës parlamentare.

Pushteti Vuçiq-Daçiq ka vendosur që 17 këshilltarë komunalë (15 nga APN dhe 2 nga SNS-PUPS-SPS) të përfaqësohen me 3 anëtarë në Organin e Përkohshëm: Shqiprim Arifi – Amir Latifi (APN) dhe Branko Trajkoviqi (SNS-PUPS-SPS); teksa 21 këshilltarë komunalë (PDSH-11, PVD-6, LR -3 dhe BDL-1) të përfaqësohen me 2 anëtarë: Ardita Sinani (PVD) dhe Ragmi Mustafa (PDSH).

Pra, pushteti Vuçiq-Daçiq përmbyti rezultatin e vullnetit popullor në Preshevë me një vendim nga zyrja e Beogradit. Si Stalini, që thoshte se nuk është më rëndësi kush voton, por kush numëron!

Ky vendim i pushtetit në Beograd për ta favorizuar Shqiprim Arifin e shndërron Organin e Përkohshëm në Organ të Dhunshëm, sikurse në kohën e Millosheviqit, kur Beogradi i vendoste qeveritarët e pakicës politike për udhëheqës të Preshevës.

Por, ky vendim nuk është ndonjë befasi. Nuk është se pushteti Vuçiq-Daçiq nuk e di se 17 është më pak se 21. Por thjesht, ata e duan Shqiprim Arifin për vendimmarës në emër të Preshevës. Këtë e di tashmë secili njeri i vetedijshëm politikisht. Madje e pranojnë privatisht dhe ata pak simpatizantët e mbetur të Shqiprim Arifit.
Kjo u dëshmua edhe me rastin e vendimit për Organin e Përkohshëm më vitin 2017, apo edhe gjatë tërë këtij mandati të fundit, ku ishin dy votat përcaktuese të këshilltarëve të SNS-PUPS-SPS të Vuçiqit dhe Daçiqit, që ia mundësonin kryeatarllëkun Shqiprim Arifit.

Por, sado që pushteti Vuçiq-Daçiq në Beograd dëshmon se e do vetëm Shqiprim Arifin dhe SNS-PUPS-SPS në qeverisjen e Preshevës, përfaqësuesja e Partisë për Veprim Demokratik nuk do t’i bindet këtij vullneti, duke mbikëqyrur çdo vendim të Organit të Dhunshëm.

Pushteti Vuçiq-Daçiq edhe mund të vazhdojë ta përdor pushtetin dhe mekanizmat e tij, për ta shpëtuar Shqiprim Arifin. Por nuk do të mundet të shpëtojë nga vota e qytetarëve. Po afrohet dita kur do ta kthejmë demokracinë duke e dërguar pakicën politike në opozitë.

Dita kur do t’i japim bashkërisht fund qeverisjes skandaloze të Shqiprim Arifit, e cila e përkeqësoi edhe më shumë keqeverisjen 12 vjeçare të Ragmi Mustafës.

Shërbimi për Informim i Partisë për Veprim Demokratik

ARTIKUJT E NGJASHËM

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

PreshevaPRESS

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

PreshevaPRESS

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”

PreshevaPRESS