Më 01 maj është zhvilluar takim i fundit mes PDSH-së, PVD-së dhe LR-së, rreth krijimit të koalicionit të ri qeverisës i cili do të udhëhiqte me Komunën e Preshevës.
PreshevaPRESS ka raportuar rregullisht për ndodhitë e fundit në kuadër të bisedimeve për të krijuar shumicën e re tripalëshe PDSH, PVD dhe LR, për të bashkëqeverisur me Preshevën.
Në takimin e fundit të mbajtur më 1 maj, tri partitë që synojnë të bashkohen për të udhëhequr Komunën e Preshevës për katër vitet e ardhshme, janë përafruar qëndrimet për ndarjen e pushtetit. Derisa dy partitë me numrin më të madh të përfaqësuesve në Kuvendin e Preshevës, PDSH dhe PVD, nuk po mund të dakordohen për pozitën e kryetarit të Preshevës, Lëvizja për Reforma ka ndryshuar kërkesat për bashkëqeverisje.
Siç pritej dhe siç ka raportuar PreshevaPRESS, sot, Partia për Veprim Demokratik ka ftuar mbledhjen e kryesisë së saj, ku edhe do të diskutohet rreth hapave të ardhshëm që do të ndjekë kjo parti, me qëllim të krijimit të shumicës së re.
Siç mëson PreshevaPRESS, mbledhja e kryesisë së PVD-së do të mbahet në mbrëmjen pas orës 20:00, ku edhe pritet të diskutohen qëndimi i PVD-së për koalicionin e mundshëm me PDSH-në dhe LR-në.