Mëngjesin e sotshëm, Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës ka filluar grumbullimin e nënshkrimeve përkrahëse në komunën e Bujanocit për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 03 prill në Serbi.
Partia për Veprim Demokratik së bashku me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen e Progresit Demokratik, gjatë ditës së djeshme njoftuan se është arritur marrëveshja tripalëshe për themelimin e listës shqiptare për zgjedhjet parlamentare “Koalicioni i shqiptarëve të Luginës”.
Derisa Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës njoftoi për fillimin e grumbullimit të nënshkrimeve përkrahëse për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare, kundër listës së përbashkët të PVD, PD dhe LPD dolën Alternativa për Ndryshim dhe Lëvizja për Reforma.
Pas reagimeve dhe dinamikës së djeshme të krijuar rreth kësaj liste, Partia për Veprim Demokratik, sot përmes një postimi në rrjetin socail në facebook, në emër të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, ka ftuar partitë e tjera shqiptare për dialog në funksion të ndërtimit të listës së përbashkët.
“Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës fton partitë e tjera shqiptare për dialog, në funksion të bashkëngjitjes së tyre në një listë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare të 3 prillit.” thuhet mes tjerash në këtë ftesë publike.
Kjo është ftesa publike e PVD-së në emër të “Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës” për subjektet e tjera politike:
Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës fton partitë e tjera shqiptare për dialog pa kushte, në funksion të ndërtimit të listës së përbashkët
“Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” fton partitë e tjera shqiptare për dialog, në funksion të bashkëngjitjes së tyre në një listë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare të 3 prillit.
Marrëveshja e arritur e Partisë për Veprim Demokratik, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes për Progres Demokratik nënkupton fillim të ndërtimit të listës së përbashkët, jo përmbylljen e saj.
Mungesa e marrëveshjes gjithëpërfshirëse midis partive politike shqiptare të interesuara për pjesëmarrje në zgjedhje parlamentare, nuk nënkupton se nuk mund të firmosin marrëveshje midis tyre ato parti politike që arrijnë pajtueshmëri midis tyre.
Marrëveshja midis PVD, PD dhe LPD për ndërtimin e “Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës” është kryer midis nesh, por nuk është e mbyllur për të tjerë. Marrëveshja mbetet e hapur dhe ripërshtatet në rast të përfshirjes së partnerëve të rinj.
Jemi të hapur për bisedime pa kushte dhe i ftojmë partitë e tjera politike shqiptare për bisedime lidhur me bashkëngjitjen e tyre të mundshme në “Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës”.
Por duke qenë se afatet kohore dhe ligjore po konsumohen çdo ditë e më shumë, nuk kemi kohë të vonohemi edhe në plotësimin e detyrimeve procedurale, administrative dhe teknike.
Prandaj edhe kemi nisur sot mbledhjen e nënshkrimeve, në funksion të “Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës” me përbërjen aktuale. Por këto nënshkrime do të jenë në shërbim edhe të listës së përditësuar me partnerët e rinj eventual në rast të marrëveshjes me subjekte të tjera politike.
Konsensusi dhe uniteti nuk ndërtohen nëpërmjet fushatave me gjuhë denigruese e shpifëse, por nëpërmjet respektit të ndërsjellë, konstruktivitetit, gatishmërisë për dialog dhe kompromisit politik.
E pas publikimit të kësaj ftese publike, Lëvizja për Reforma ka qenë ajo që ka reaguar menjëherë, duke e quajtur këtë deklaratë hipokrite e rradhës dhe asgjë më shumë.
Kjo deklarate PVD e sotme nuk eshte gje tjeter vecse nje justifikim i gjithe asaj qe kane bere deri me sot. Pasi perfunduan kalkulimet dhe vendosen sipas interesit te vet, kjo deklarate e re nuk rihap asgje ne te vertete. Rihapja do te ishte e vlevshme vetem ne rastin kur te gjitha palet do te ishin te barazisht te trajtuar ne bisedime dhe vendimarrja te behej sipas peshes e rolit te seciles cka jo vetem do ta ndryshonte konfigurimin e listes por edhe do te vendoste balanca te reja qe nuk ju leverdisin aspak ketyre tre partive. Ndaj me bindje themi qe kjo eshte hipokrizia e rradhes dhe asgje me shume.