Për herë të parë që nga themelimi i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Partia për Veprim Demokratik nuk garon si e vetme në zgjedhjet e 8 nëntorit.
Partia për Veprim Demokratik (PVD) dhe Aleanca për Luginën (AL) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për udhëheqjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH). Sipas marrëveshjes, kandidat i listës së përbashkët për kryetar të këtij institucioni do të jetë Enkel Rexhepi.
Marrëveshja u nënshkrua sonte në ambientet e PVD-së, me synimin për të bashkuar forcat politike dhe për të siguruar një bashkëpunim të përbashkët në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, të cilat do të mbahen më 8 nëntor.
Në njoftimin e tij, Rexhepi theksoi rëndësinë e KKSH-së si institucioni që përfaqëson shqiptarët në Serbi, duke veçuar komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Ai u zotua se do të angazhohet për vazhdimin dhe përfundimin e projekteve të nisura gjatë mandatit të kaluar, si dhe për avancimin e pozitës dhe realizimin e të drejtave të shqiptarëve në këto komuna.
Sipas marrëveshjes, PVD-ja dhe Aleanca për Luginën synojnë të marrin përgjegjësi të përbashkët, duke u mbështetur në bashkëpunim të qëndrueshëm, mirëbesim dhe respekt të ndërsjellë.
Palët nënshkruese kanë bërë të ditur se synimi i tyre i përbashkët është mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve në Serbi, me theks të veçantë në përfaqësimin institucional të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
