Projektligji në Kongresin Amerikan: Demokracia dhe zgjedhjet e lira, kusht për vazhdimin e dialogut me Serbinë

Pasi dy kongresmenë, një demokrat dhe një republikan në Kongresin amerikan, kanë paraqitur një projektligj për Serbinë, i cili paralajmëron për gjendjen e demokracisë, lirinë e mediave dhe kushtet zgjedhore, kongresmeni Bill Keating i tha N1 se kjo i dërgon një mesazh të qartë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Keating, i cili është demokrati kryesor në Nënkomisionin për Evropën, vlerësoi se qeverisja demokratike, sundimi i ligjit, liria e mediave dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë thelbësore për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ky projektligj i dërgon një sinjal të fuqishëm presidentit Vuçiq për gjendjen e marrëdhënieve amerikano-serbe dhe tregon se shtyllat kryesore që lidhin popullin amerikan dhe atë serb – qeverisja demokratike, sundimi i ligjit, liria e mediave dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme – janë të një rëndësie thelbësore për forcimin e këtyre marrëdhënieve”, deklaroi Keating.

Ai shtoi se që nga ardhja e presidentit Donald Trump në pushtet, ka shprehur shqetësimin e tij për vëmendjen e pamjaftueshme që u kushtohet këtyre çështjeve në kuadër të Dialogut Strategjik SHBA–Serbi.

“Ky projektligj e bën të qartë se Kongresi nuk do ta mbështesë një raund të ri të Dialogut nëse këto çështje nuk trajtohen”, porositi Keating.

Kongresmeni amerikan vlerësoi gjithashtu se Serbia duhet të bëjë më shumë për t’iu kundërvënë ndikimit të Rusisë, Kinës dhe Iranit.

“Besoj gjithashtu se Serbia duhet të bëjë më shumë në luftën kundër ndikimit të Rusisë, Kinës dhe Iranit, ndërsa ky projektligj i kujton Qeverisë së Serbisë se Kongresi i SHBA-së po i ndjek me vëmendje zhvillimet në rajon”, deklaroi Keating.

Kongresmeni demokrat falënderoi kongresmenin republikan Joe Wilson për udhëheqjen e tij në lidhje me projektligjin dhe theksoi karakterin dypartiak të tij.

“E vlerësoj udhëheqjen e kongresmenit Wilson në lidhje me këtë projektligj dypartiak”, përfundoi Keating./N1

ARTIKUJT E NGJASHËM

Ulet çmimi i naftës në Maqedoninë e Veriut

PreshevaPRESS

A ju takojnë 6000 dinarë të ndihmës shtetërore? Ja kushtet dhe mënyra e aplikimit

PreshevaPRESS

Katër të vdekur dhe 35 raste të virusit të Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut

PreshevaPRESS