Përparësitë e të jetuarit në hapësirë shumetnike

Hyrje në kujtime selektive

Gjatë periudhës sa isha duke jetuar në Shkup po e realizoja një emision filozofik të quajtur Pikëpamje. Në emision ftoja mysafir të ndryshëm nga fusha e filozofisë. Njëri ndër mysafirët, një profesor maqedonas, pasi e trajtuam temën e filozofisë së Tolstoj-it, u ulëm të kënaqur të pimë kafe. Të kënaqur pasi që kishim realizuar një emision fantastik. Emisionin e bënim në dy gjuhë, unë pyesja në shqip dhe përmes përkthimit simultan ai përgjigjej në maqedonisht. Emisioni titrohej në shqip e maqedonisht. Duke pirë kafe më tha: “Latif, imagjinata ime për Maqedoninë është që ajo t’i përngjasë hapësirave tuaja të punës”. Në fillim, m’u duk disi absurde dhe thash me vete se Maqedonia është shumetnike dhe këtu s’ka diçka për t’u fascinuar. Por në ndërkohë e kuptova se profesori paska jetuar jashtë një kohë dhe ai vinte nga një zonë një etnike e Maqedonisë. Gjithçka që njihte ishin projeksionet, narrativët dhe steretipet për tjetrin, por jo tjetri vetë. Për më tepër, vetë ftesa nga një shqiptar dhe medium shqiptar për të biseduar rreth filozofisë ishte fascinuese ngaqë në Maqedoni askush nuk fliste për filozofinë dhe gjëra të tilla me vlerë të lartë të dijenisë, estetitkës dhe moralit. Ky është momenti më i freskët që më vjen ndërmend kur është në pyetje “tjetri” dhe përparësitë e të jetuarit në ambiente të larmishme dhe diverse.

Një moment tjetër interesant i cili më kujtohet tani ishte kur më erdhi një ftesë nga Universiteti Amerikan i Kosovës – AUK, që së bashku me një profesor tjetër maqedonas, të mbajmë një ligjeratë në lidhje me temën, “Vetja dhe Tjetri në Ballkan – një qasje filozofike”. Autostrada atëkohë nuk ishte dhe ne erdhëm përmes rrugës së vjetër. Siç dihet, rruga e vjetër ishte tejet e ngarkuar me kamionë, vetura, maune dhe automjete të ndërtimtarisë. E gjithë kjo dinamikë, shkaktoi një habi të lehtë te miku im. Pasi tejkaluam trafikun e rënduar të mesit të ditës arritëm në kampusin e universitetit. Komunikimi me masën ishte në gjuhën angleze. Ligjërata u mbajtë. Diskutimi ishte tepër frytdhënës, përplot urtësi dhe pyetje të thella. Atë ditë, në anfiteatrin e universitetit ishin mbledhur studentët më të mirë dhe po hedhnin predhat e tyre. Niveli i anglishtes të krijonte imazhin se je në një vend anglofon dhe jo në Kosovë. E gjithë kjo skenë po e fascinonte deri në palcë mikun tim profesorin e filozofisë nga Universitetit Kirili dhe Metodi. Pas ligjeratës, pimë edhe kafe me studentët. Të shtangur ishim që të dy. Dolëm ecëm nëpër Prishtinë. Rrugët e sheshit të mbushura plot me të rinj e të reja. Prishtina ngjante në një kampus universitar. Thua i gjithë qyteti është universitet më vete. Gjersa po ktheheshim rrugës, pas një qetësie të madhe, profesori shpërtheu në lëvdata dhe keqardhje për veten. Ndër të tjera më tha: “Më vjen keq që shqiptari i parë që kam njohur je ti Latif, më vjen keq që i kam kaluar gjithë këto vite pa njohur një shqiptar ashtu siç duhet. E Kosova, qenka bërë vendi prej të cilit Maqedonia duhet të marrë mësime vitale.

Mund të kujtoj shumë shembuj e momente nga jeta kur kam kuptuar se të jetuarit në ambient shumëngjyrës të jep mundësi që të tjerët nuk mund t’i kuptojnë. Nëse mund t’i përmend shkarazi janë momentet kur kolegët e mi amerikan habiteshin me mua se si arrij të komunikoj në disa gjuhë ballkanike apo gjersa pinim kafe, turkut t’i drejtoheshe në turqisht, boshnjakut në boshnjakisht, amerikanit në anglisht e shqiptarit në shqip. Aq më tepër thënia e një mikut tim turk, se do të jepte gjithçka nga jeta sikur ta kishte kthyer kohën prapa e të kishte jetuar në një ambient me plot ngjyra dhe se si ankohej për monoetnizimin e një qyteti të dikurshëm shumë etnik si Stanbolli. Apo mbase të kujtoj momentin, kur dy miqtë e mi Amerikan, u stepën e habitën fare, kur një plak jordanez në kafenetë e qendrës së vjetër të Amanit, pas një bisede të shkurtër më përqafoi fort. Mu drejtua me pyetjen nëse jam amerikan. Jo, i thash, jam shqiptar (albanij në arabisht). Atij i tingëlloi si “lubnanij” libanez. I tregova për Kosovën, Shqipërinë, Bosnjën, dhe për vende të tjera të Ballkanit. Nuk e kishte haberin e asnjanës. Vazhdoi më pyeti, – a je mysliman? Po thash, mysliman jam. Më kapi e më shtrëngoi fort. Mua më mjafton kjo – më tha në heshtje. Dy vetë të racave të ndryshme, kulturave e traditave i bashkonte një fe.

Tjetri, pushteti dhe historia

Mund të numëroj me dhjetra shembuj të ndryshëm shetitjet dhe studimet jashtë vendit, por ajo që është me rëndësi, bazuar në përvojën time gjithashtu edhe në studimet teorike në vazhdim do dëshiroja t’i numëroja mësimet që kam marrë dhe fituar nga ky kryqëzim i burimit të dijeve që kanë të bëjnë me tjetrin dhe veten në hapësira të larmishme, shumëfetare dhe shumetnike. Njeriu gjersa jeton në këto ambiente e ka të vështirë të mendojë rreth teorisë së identiteteve, tjetrit i cili është ndryshe nga ti dhe momente të caktuara historike kur këto identitete ndryshojnë, transformohen ose zhvendosen brenda subjektit që i mbartë ato. Periudhat e krizave shpesh merren si momente vendimtare në manifestimin përfundimtar të identitetit. Kjo është një gjë e gabuar. Momentet e krizave janë tepër të shkurtëra dhe të ndikuar nga faktor tepër të fuqishëm psikologjik për të determinuar identitetin përfundimtar dhe litarin e fundit rreth të cilit mund të kapet një njeri. Vetëm në mirëqenie të plotë, paqe dhe qetësi me brenga të vazhdueshme ditore që mund të jenë rreth çështjeve sociale dhe ekonomike, njeriu arrinë të shpreh një identitet më të plotë kulturor me ç’rast ai arrinë ta shenjojë veten tij brenda komunitetit dhe hapësirës vegjetuese. Unë jam rritur e shkolluar në Preshevë në një ambient shumetnik e fetar, i edukuar në përmes një sistemi socialist shkollor, ku ideja e diversitetit sado e zbehtë dhe me ca të meta, në thelb është ruajtur. Këtë e dëshmon shumësia e gjuhëve që mësohen në shkollë dhe ndarja e klasave dhe shkollës me komunitetet të tjera. Kjo na ka dhënë mundësi reflektimi dhe thellimi mbi çështjet konfliktuoze në Ballkan. Një mainstream-i të çuditshëm i cili e shtyen përpara idenë se konflikti ka qenë rezultat i përbërjes shumetnike dhe shumëfetare të këtij regjioni. Por kjo hipotezë nuk qëndron. Paqja ka dominuar dhe ka qenë esenciale, kurse lufta ka qenë aksidentale.

Sidoqoftë, të shkruash për çështjet e prezencën shumetnike, dallime e përafrimet kulturore, avantazhet dhe disavantazhet, rëndësi të veçantë ka pozicioni nga i cili shkruan. Të shkruash nga pozicioni i një qytetari i cili është rritur në një geto provinciale minoritare kulturore ndryshon nga të shkruarit prej pozicionit të qytetarit me përkatësi shumice i rritur në metropol apo hapësirë të madhe urbane. Të shkruash nga këndvështrimi i një gruaje rome në Ballkan, e cila vazhdon të shtypet nga supremacia apo patriarkalizmi brendaetnik, patriarkalizmi dhe racizmi tej etnik si dhe sistemi i tentakularizuar që është antiindividual, dallon thelbësisht, nga të shkruarit prej këndvështrimit të një gruaje e cila është rritur dhe zhvillon bizneset e saja në qendër të Dubrovnikut e cila sfidat mizogjene dhe antisistemore i ka më të relaksuara. Të shkruash, për këto çështje, si studiues i çështjeve sociale dhe etnike dallon rrënjësisht nga pikëpamjet e një njeriu të thjeshtë realiteti i të cilit janë vëzhgimet e lira empirike me të cilat ai ballafaqohet në përditshmërinë e tij. Para disa vjetësh, në Shkup, po ligjeroja për çështjet etnike dhe steretipizimet në shoqëri dhe mundësinë e dekonstruktimit dhe zhbërjes së tyre përmes rrefimit (storytelling). Në sallë kishim përfaqëses të rinjsh nga të gjitha komunitetet dhe organizimi mbulohej nga International organization for Migration – IOM në Maqedoninë e Veriut. Një nga rrëfimet ishte tepër i dhembshëm. I dhembshëm ngaqë ballafaqohesh me fakte të cilat gjunjëzonjë çdo mendim. Djali i ri nga komunitetit rom ndau tregimin ku atij shpesh i pamundësohet të hyj në pishina gjatë verës shkaku se është rom, shkaku i ngjyrës së lëkurës së tij. Kjo ishte krejtësisht shokuse. Një ngjarje e tillë interesante më është treguar në Indonezi ku ngjyra e lëkurës megjithatë ishte një “lloj përparësie”. Ndalimi i djaloshit, mbase mund të jetë një rast i rallë, por gjëra të tilla ndodhin gjetiu në Ballkan. Tani të shkruash për përparësitë e të jetuarit në ambiente shumetnike nga pozita e të stereotipizuarit, të shkelurit dhe të mohuarit dallon nga pozita e atij që është i pasur, përkatësia e të cilit/cilës i përket ndonjë kombi të madh, që ka kryer kolonizime në emër të qytetërimit dhe idesë së racës së lartë dhe me mision. Pra, thënë ndryshe, në gjithë këtë konceptim kemi një raport të fshehur pushteti që krijon raportet tona shoqërore, dijet për njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha servimin e historisë përmes historiografisë etotacentriste ose naciocentriste. Në botëkuptimin tonë për tjetrin, veten dhe jetën e përbashkët gjithmonë ka mbizotëruar një pushtet i instrumentalizuar i cili qysh në fillim të herës krijon disavantazhin e qasjes ndaj problemit, sidomos në krijimin e kulturës imperialiste në konceptimin e tjetrit, si i orientalizuar, emocioanl, i pazhvilluar, prapanik dhe i tjetërzuar. E gjithë kjo burimin e ka në tekstet e historisë të cilat zakonisht iu nënshtrohen paradigmës ligjërese etatiste – e cila për qëllim përfundimtar e ka shtetin si arritje – ose i nënshtrohet ligjërimit naciocentrist – ku historia i shërben kombit dhe mitit kombtar.

Shqiptari katolik, arabi mysliman dhe pandemia

Gjatë një ligjerate në Wil të Zvicrës, ku po flisja për identitetet mu shtrua privatisht pyetja e famshme që kemi si shqiptarë, se a është më i afërt shqiptari katolik apo myslimani arab, bazuar nën supozimin se shqiptarët me shumicë janë myslimanë. Në formë të ironisë unë iu përgjigja përmes një gjysëm barcolete të sajuar aty për aty nga ana ime, sikur kjo pyetje iu ka shtruar një shqiptari të rëndomtë se: kë e do më shumë, shqiptarin katolik apo arabin mysliman? Ai, kish menduar një çikë dhe kish thënë: Vallai e dua gruan time! Në vazhdimësi të ligjërimit tim, ndërtoja narracionin se në qendër të ndërtimit të një relacioni, domosdoshmërisht se feja dhe etnia kanë rol të theksuar, por ama, më tepër se këto rëndësi të veçantë ka “shkëmbimi reciprok” dhe “besueshmëria” e krijuar në një lidhje shoqërore para çdo identiteti të supozuar gjinor, fetar e etnik. Me një fjalë, nëse fqiu yt në Zvicër quhet Masiomo dhe është italian katolik në presupozimin tënd, sepse shkalla e fetarisë dhe kombtarisë është vështirë të mbatet, atëherë ai është më i afërt për ty se çdo arab e shqiptar nëse ti me të ke ndërtuar një lidhje të mirë dhe të besueshme fqinjshmërie. Në ditët më të vështira ai do të të gjendet në ndihmë, por edhe në ditët më të mira, e jo ndonjë arab mysliman krejtësisht fantom në mendjen tonë. Pra, lidhjet njerëzore janë lidhje specifike dhe prekin në damarin më të thellë të jetës, me ç’rast përshkojnë përvoja të jashtëzakonshme shpirtërore dhe sociale. Rëndësia e raporteve njerëzore përtej çdo identiteti gjinor, etnik dhe fetar u dëshmua më së mirë në kohë të pandemisë ku virusi Covid 19 mori miliona jetra njerëzore.

Në këtë kontekst pandemia na ka dhuruar leksione historike. Leksioni më i rëndësishëm është ai mbi barazinë e gjinisë njerëzore dhe se ndaj pandemisë të gjithë jemi të barabartë, i varfëri me të pasurin, i bardhi me të ziun, laiku me fetarin, femra me mashkullin dhe të gjitha palët që krijojnë linjë krahasimi. Përtej barazisë, ajo shpalosi edhe dimensionin e fragjilitetit, dobësisë dhe falsitetit të krekosjes njerëzore. Me një fjalë, ajo qenie mikroskopike, ia përkujtoi njeriut se megjithatë, vogëlsia njerëzore është në raport të zhdrejtë me mendjemadhësinë e tij.

Pandemia na mësoi se i gjithë njerëzimi ndodhet në një anije. Gardhiqet dhe muret e ndërtuara nga shtetet e mëdha nuk mund të parandalojnë zjarrin që njeriu e ndezi me duart e tij. Ardhja në ndihmë e mjekëve kinez, popullit italian është shembulli më i mirë i solidaritetit dhe sfida më e fuqishme ndaj çdo stereotipi të “lindorit” dhe imagjinatës për lindjen ekzotike, emocionale dhe libideske. Meqë njerëzimi udhëton me të njëjtën anije apriori kuptohet se historia dhe ardhmëria e saj janë të përbashkëta. Rrjedhimisht, njerëzimi fatin e tij duhet ta ndërtoj në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e jo t’i mbyllë kufijtë dhe secili të mbyllet në lëvozhgën e vet. Më shumë se gjatë kësaj periudhe, kurrë s’ka qenë kaq e nevojshme, kaq e ndjeshme shtrirja e dorës ndaj njëri-tjetrit.

Mësimet që duhet mësuar

Bazuar në shembujt më lartë, por edhe në qindra shembuj dhe përvoja të tjera nga jeta, mësimi i parë që marrim nga të jetuarit në ambiente dhe hapësira të larmishme është aspekti ontologjik dhe kuptimësimi i qenësisë apo ekzistencës. Qenia dhe qeniesimi, gjegjësisht, e drejta për jetë është një e drejtë universale. Qenia i dhuron jetë trupave dhe ne në saje të saj ekzistojmë. Jeta është dhuratë për gjithësecilin. Ajo ngjizet përmes dashurisë dhe e shpall lirinë si moment të botës. Njeriu lind i lirë, por më vonë i nënshtrohet vargonjëve të jetës, ka thënë, Rusoi. Vargonjtë e tillë të jetës nuk janë veç shtypja politike dhe ekonomike, por edhe trashëgimia që ai mbart nga prindërit në emërimin e tij, prindërve, familjes së gjerë, lagjes dhe qytetit ku ka ardhur në jetë. Në një moment të caktuar reflektimi njeriu e kupton se të ardhurit në jetë është pasojë e dy prindërve prej të cilëve trashëgon një pjesë të fatit të tyre dhe ëndrrave. Më vonë e kupton, se një pjesë e fatit dhe mentalitetit të tij, është formësuar nga rrethi, shkolla dhe ambienti që ai thjesht, e ka gjetur aty. Tek më vonë gjersa pavarësohet ekonomikisht lëvizë dhe frymon më lirshëm, përpiqet të reflektojë dhe rikonceptojë identitetet e tij.

Mësimi i dytë është njohja e vetes përmes njohjes së tjetrit. Ky mbase është mësimi më i rëndësishëm social. Individi del nga kallëpi i vet egoist dhe tjetrin e sheh si pasqyrë të vetes me qëllim të krijimit të relacionit dhe shoqërorizimit. Konkurimi dhe garimi me vlera karshi ndonjë gare ideologjike është gjithmonë triumfues. Gjersa gara vlerore të ofron me tjetrin në saje të ndryshimit, gara ideologjike të largon prej tjetrit dhe të ofron me identikun apo me atë që që e ke më afër vetes ose identik me veten. Shoqëritë monocentrizuese janë të prira drejt totalitarizmit dhe uniformitetit kulturor, kurse shoqëritë shumetnike dhe kulturore janë të prira që të bazohen në pasurinë e tyre kulturore dhe identitare, ku duke i thirrur arkeologjisë së vet ofron më të mirën dhe më të vlefshmen ndaj tjetrit, njashtu siç tjetri ofron më të mirën, më të vlefshmen. Garimi në vlefshmëri është pasuri e naltë shoqërore. Para ca vitesh, publicisti shqiptar Mustafa Nano ndodhej në Shkup për të promovuar librin e tij Pax Albanica. Meqë isha udhëheqës i panelit dhe pjesë e organizimit të promovimit u dakorduam me të që të shetisnim rrugëve të çarshisë së vjetër në Shkup. Për të, ishte hera e dytë në Shkup. Unë po i shpjegoja përbërjen etnike dhe religjioze të esnafit të çarshisë të cilët ushtrojnë bizneset e tyre. Në Çarshi dominojnë shqitparët, pastaj vijnë maqedonasit, turqit, boshnjakët dhe vllehët. Çarshia është simboli apo miniaturë Ballkanike, gjegjësisht, Maqedonia e veriut në një hapsirë kaq të vogël. Sado që duket një orient në zemër të Europës veç në Sarajevë, Shkup dhe Prizren mund t’i gjesh kishën, xhaminë dhe sinagogën pranë njëra-tjetrës. Një trashigimi e tillë buron nga sundimi Osman në Ballkan, dhe krijimi i qyteteve shumë etnike dhe religjioze ka qenë një strategji e mirë e ruajtjes së paqes së mbrendshme dhe ka zvogëluar mundësitë e kundërvënies dhe rrebelimit masiv ndaj portës së lartë. Mustafa Nano po shikonte i habitur nga mikëpritja në çarshi dhe shkëmbimet tona shumëgjuhësore, të fjalëve, përshëndetjeve dhe aty këtu shakave të çarshisë. Pas një kohe shetitjeje, krejt i mërzitur më tha: – Latif, më vjen keq që jam rritur në një qytet monoetnik si Tirana, të gjithë ishim uniform, identik, të gjithë flisnim një gjuhë dhe s’kishim asnjë fe. Unë kam shkruar libra për multikulturalizmin, por fatkeqësisht as që ia kam haberin se është multikulturalizmi”. Lakmia e tij ishte për jetën e pasur kulturore, etnike dhe fetare dhe një gjë të tillë vështirë se mund ta gjesh as sot në Tiranë.

Mësimi i tretë është i nivelit qytetar dhe demokracisë. Në hapësirat shumetnike dhe kulturore mobiliteti social, angazhimi shoqëror dhe politik bëhet në saje të përgjegjësisë qytetare, si identiteti më i lartë politik. Qytetaria është vlera më e naltë e asaj shoqërie dhe narraivi i shoqërisë është më tepër projeksion mbi të drejtat e individit dhe ushtrimit të të gjitha të drejtave njerëzore dhe mundësia e prezencës së tiranisë së shumicës është pamundur. Në shoqëritë me shumicë të theksuar monoetnike dhe religjioze, të cilat janë të themeluara mbi idenë e shtetit komb, dhe janë rigjide e të ngurta dhe demokracia si sistem politik përjeton shkarje drejt një demokracie liberale ku të drejtat e pakicave janë krejtësisht të anashkaluara dhe shpeshherë të shtypura në heshtje ngaqë tirania e shumicës përbën realitetin politik. Në shoqëritë e përziera, multietnike dhe kulturore “tirania e shumicës” është ajo e qytetarëve që janë të përkushtuar në çështjet publike dhe realizimin e të drejtave të tjetrit e shohin si obligim qytetar dhe demokratik dhe narracionet steretipizuese ku shquhet vërtetësia e njërës, ndaj tjetrës palë, epërsia dhe lashtësia historike si legjitimitet, e njërës ndaj tjetrës palë, si dhe përbërja e shumicës etnike si legjitimitet dhe e “drejtë” për injorim dhe shtypje e heshtur ndaj palës tjetër apo grupeve etnike minoritare, është thjeshtë e pamundur. Shoqëritë shumetnike janë demokratikisht më përmbajtësore dhe më sociale.

Një shembull argumentues mund të merret edhe rasti i ndryshimeve të fundit në Maqedoninë e Veriut. Qeveria e Gruevskit i cili vinte nga VMRO u shquajtë për veprime monocentrizuese dhe me tendenca të forta totalitare. Në qendër të narracionit të tij ishte origjina dhe prejardhja e lashtë e kombit maqedonas, me fille që nga Aleksandri i Madh, duke e projektuar një trajektore deri në kohërat e sotshme ku flamurin e këtij identiteti dhe ndërlidhjes së tij me shtetin e ruante partia VMRO e emëruar sipas lëvizjes bullgar-maqedonase e cila ishte rebeluar kundër perandorisë Osmane. Për më tepër, partia në pushtet i bëri vetes edhe muzeun e saj, sheshin Aleksandër dhe ndërpreu mardhëniet me BE-në, vetëm e vetëm ta dëshmojnë vlefshmërinë e luftës në lidhje me “pastërtinë” e tyre kombëtare dhe ideologjike. Në vitin 2017 shoqëria civile dhe partitë opozitare në krye me Lidhjen Social Demokrate, arritën që përmes protestave të vazhdueshme nën kampanjën e Revolucionit të Larëm (Sarena Rovolucija) të zbehin dukshëm fuqinë e tij dhe të mobilizojnë masat për zgjedhje të reja me ç’rast bie qeveria e Gruevskit. Protestat ishin shumetnike në to valonin flamuj të kombeve të ndryshme dhe qëllimi i saj ishte thyerja e despotizmit politik dhe parandalimi i shkeljes së të drejtave të njeriut nën moton – shoqëri për të gjithë. Në periudhën e Gruevskit, kishte shkallë të lartë të korrupcionit dhe qeveria për t’i mbuluar këto raste nxiste konflikte etnike me qëllim të defokusimit dhe zhvendosjes së problemit. Me krijimin e këtyre konflikteve publike, në pub-e, autobus, stadiume, ngritej edhe sentimenti për stereotipe dhe gatishmëri për të zgjeruar konfliktet. Policia rrinte e heshtur, dhe përmes proceseve të ndryshme të montuara gjyqësore arrihej që tensioni brenda etnik të mbahej i lartë. Revolucioni i larëm erdhi me narracion të ri, ku më tepër se maqedonasi, shqiptari shquhej e drejta e qytetarit pa dallim race, gjinie, feje apo kombi. Sado që pas revolucionit shumë ideale të saja mbetën të parealizuara, në përgjithësi, shoqërisë i erdhi një qetësi dhe harmoni kurse në sensin ndërkombëtar Maqedonia e Veriut shënoi progres në ndërrimin e emrit, harmonizmin e raporteve me Greqinë, ndërrimin e kushtetutës dhe hyrjen në NATO. Të gjitha këto në saje të një agjende apo paradigme qytetare shumetnike, ku për herë të parë më dendshëm, shqiptarët filluan të votonin dhe të ishin pjesë e partive Maqedonase.

Në vend të përfundimit

Është e vështirë të krijohet një projeksion mbi një identiet njerëzor tërësisht të zhveshur nga kultura, dinamikat dhe stratifikimi social. Ndonëse, etiketimi, steretipizimi dhe urrejtja janë të lehta, por ky nuk është dhe nuk do të duhej të ishte qëllimi njerëzor. Në të kundërtën përpjekja për të bukurën, njohja dhe empatizimi me tjetrin dhe dashuria janë të vështira dhe kërkojnë goxha një përpjekje, por kjo mbetet rruga e vetme e imagjinatës sonë për njerëzimin si projektin më të rëndësishëm që ka nisur modernja, projektin human historik. Njohja e tjetrit dhe komikimi i vazhdueshëm perpetual duhet të mbetet modus operandi i qytetërimit njerëzor në përgjithësi, e në veçanti, qytetarit ballkanas i cili aspiron për një jetë të begatë e në paqe!


Ky artikull është publikuar si pjesë e projektit “Forcimi i zërave gjithëpërfshirës të viktimave, duke transformuar narrativat” zbatuar nga Nismat Qytetare, Integra, Nisma e Re Sociale, Veprimi Paqesor, Lëvizja Paqesore PAX dhe Qendra Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale, dhe financuar nga Bashkimi Evropian. Përgjegjësia e vetme për përmbajtjen e tij është Organizata Aktivistëve REFORMA & PreshevaPRESS dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe partnerëve mbi projektin “Forcimi i Zërave Gjithëpërfshirës të Viktimave, Transformimi i Narrativave”.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Analiza e Andi Bushatit pas deklaratave te presidentit francez pas firmosjes se blerjes se avioneve nga Sebia

PreshevaPRESS

Ahmeti: Lista e përbashkët e shqiptarëve në Luginë do të dëshmonte vetëdijen dhe aftësitë e subjekteve politike

PreshevaPRESS

Život u multikulturalnoj sredini

Bogdan Matić