Teksa nesër në Parlamentin Europian pritet të mbahet votimi për emërimin e Ursula fon der Lejen si presidente e KE, asaj i janë vendosur disa kushte.
Grupi i qendrës së majtë në PE e paralajmëroi zonjën fon der Lejen se nuk do ta mbështesë emërimin e saj nëse ajo nuk u përmbahet zotimeve konkrete lidhur me prioritetet politike. Në një letër që mban firmën e kryetares së grupit parlamentar të socialistëve dhe demokratëve, Irace Garsia, renditet mes kërkesave edhe hapja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Komisioni ka rekomanduar nisjen e bisedimeve si për Tiranën edhe Shkupin, por drita jeshile mund të vijë vetëm nga qeveritë e vendeve anëtare, që e kanë shtyrë vendimmarrjen.
Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve do të jetë vendimtare në përcaktimin e Fon der Lejen në krye të Komisionit Europian, në votimin që do të mbahet në Strasburg. Ndërkohë, mes kërkesave të tjera drejtuar kandidates për kreun e KE-së janë: zotimi për një zhvillim të qëndrueshëm të Europës, për ndryshimet e klimës, buxhetin e BE-së, politikën e azilit, sundimin e ligjit dhe politikën e jashtme.