Foto nga arkivi REL

Paralajmërohet krijimi i Qeverisë së re këtë javë që heq reciprocitetin me Serbinë

Veprime intensive në funksion të krijimit të Qeverisë së re, e cila do ta heqë reciprocitetin për t’i hapur rrugë marrëveshjes me Serbinë, janë paralajmëruar në Prishtinë dhe Washington.


Dy burime të ndryshme i kanë thënë “Kohës Ditore” se presidenti Hashim Thaçi ka mundësi që të martën vendos për t’ia dhënë mandatin LDK-së për formimin e Qeverisë. Në anën tjetër, nëse presidenti ia jep mandatin LDK-së, Lëvizja Vetëvendosje pa vonesa do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, “sipas të gjitha gjasave – të njëjtën ditë”.

Kështu i ka thënë “Kohës Ditore” një burim i afërt me kreun e LVV-së. Njerëz të afërt me Kurtin kanë paralajmëruar rezistencë ndaj veprimeve rreth mandatarit dhe marrëveshjes eventuale me Serbinë. E njohës të zhvillimeve përtej Atlantikut dhe ata në vend kanë thënë se rinisja e dialogut nuk mund të bëhet pa u mbajtur zgjedhjet në Kosovë dhe në SHBA, raporton koha.

Që nga rrëzimi i Qeverisë Kurti me mocionin e iniciuar nga LDK-ja, Thaçi ka shprehur synimin për krijimin e një qeverie të re, duke i shmangur zgjedhjet e reja. Këtë e ka bërë nëpërmjet katër letrave dërguar Kurtit, duke i thënë se do të caktojë mandatar tjetër nëse ai nuk e dërgon emrin.

Mungesën e përgjigjes Thaçi e ka interpretuar si refuzim. Kurti edhe në përgjigjen ndaj letrës së fundit ka kërkuar sqarim nga presidenti për “përdorimin e standardit të dyfishtë që Thaçi dhe partitë politike po tentojnë ta imponojnë në rrugë jokushtetuese”.

Të dielën presidenti ka paralajmëruar se do t’i ndërmarrë hapat e fundit kushtetues për krijimin e Qeverisë.

“Javën tjetër unë do të ndërmarr hapat e fundit kushtetues për të mundësuar formimin e një Qeverie të re me një legjitimitet të plotë nga Parlamenti, e aftë për të luftuar # COVID19 dhe për t’i shërbyer popullit. Tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së për Kosovën”, ka shkruar Thaçi në Twitter. Ky qëndrim i tij është shpërndarë nga emisari i posaçëm i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Sipas diplomatit amerikan, dialogut do t’i jepet intensitet i shtuar posa të hiqet reciprociteti.

“Posa të hiqen tarifa dhe reciprociteti (mbase këtë javë?), atëherë dialogu nis me intensitet më të shtuar. Kam biseduar me liderët në Serbi dhe Kosovë, për ta bërë të qartë se duhet të fillojnë me ndërtimin e besimit sot në përgatitje të tij – dhe ata janë zotuar ta bëjnë këtë. Së shpejti do të ketë më shumë”, ka shkruar Grenell në Twitter.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Turqia e pavendosur, edhe pse është në NATO dëshiron të anëtarsohet edhe në BRICS

PreshevaPRESS

Nga sot ndryshon rregullorja e udhëtimeve brenda BE, njihuni me rregullat që do të ballafaqoheni

PreshevaPRESS

Alarmon Fajon: I trembem faktit se Schengeni po mbyllet si shkak i kërcënimeve në rajon

PreshevaPRESS