I ashtuquajturi kryetar i Asociacionit të qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës, Rasha Rojeviq, ka njoftuar se të premten, më 6 shtator, do të fillojë bllokada e të gjitha vendkalimeve kufitare në Kosovë.
Rojeviq paralajmëroi se bllokada do të vazhdojë derisa forcat policore të Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe institucionet t’u kthehen serbëve.
“Bllokada do të fillojë të premten dhe do të zgjasë derisa forcat policore të Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe t’u kthehen serbëve institucionet e uzurpuara. Ne gjithashtu kërkojmë që KFOR-i, në përputhje me mandatin e Rezolutës 1244, të marrë kontrollin e veriut të Kosovës”, tha Rojeviq, raporton KoSSev.
Ai tha se bllokada do të kryhet nga qytetarët nga Serbia qendrore, Mali i Zi dhe Republika Srpska, duke përjashtuar qëllimisht serbët që banojnë në Kosovë për – siç pretendon ai – t’i mbrojtur ata nga hakmarrja e mundshme nga Policia e Kosovës.
Ai pretendoi se për këtë plan nuk do të presin ndonjë “ndihmë nga shteti” dhe se nuk kanë nevojë për ndihmën e tyre.
“Nuk presim ndihmë nga shteti dhe as nuk kemi nevojë për të. “Serbët që jetojnë në Kosovë nuk do të marrin pjesë në bllokada që të mos ngacmohen nga policia e Kosovës, por vetëm qytetarët nga territori i Serbisë qendrore, Mali i Zi dhe Republika Srpska”, tha Rojeviq.
Ai madje shtoi se do të sigurohet transport për të gjithë pjesëmarrësit e interesuar nga Beogradi, Novi Sadi, Smedereva, Kragujevaci, Nishi, Krushevci, Vranja, Rashka dhe se automjetet spitalore do të lejohen të kalojnë gjatë bllokadës së kalimit.
Në dritën e mbylljes së pesë institucione paralele serbe në veri nga autoritetet e Kosovës, rreth 300 qytetarë serbë u mblodhën sot para një objekti që më herët ishte përdorur nga komuna paralele serbe në Mitrovicë të Veriut.