Paga mesatare në Preshevë gjatë qershorit ishte 82.777 dinarë, rreth 37.600 dinarë më pak se mesatarja në nivel të Serbisë.
Presheva vazhdon të mbetet ndër komunat me pagat mesatare më të ulëta në Serbi. Sipas të dhënave të Entit Republikan të Statistikave të Serbisë, paga mesatare neto në këtë komunë gjatë qershorit 2026 ishte 82.777 dinarë.
Me këtë nivel të të ardhurave, Presheva renditet në pjesën e fundit të listës së komunave në Serbi, së bashku me Trgovishten, Bojnikun dhe Vlasotincen.
Situata paraqitet më ndryshe në komunat tjera të Luginës së Preshevës. Në Bujanoc, paga mesatare për të njëjtën periudhë ishte 94.045 dinarë, duke qenë rreth 11.300 dinarë më e lartë se në Preshevë.
Edhe Medvegja kishte një pagë mesatare më të lartë, prej 98.276 dinarësh.
Presheva dukshëm nën mesataren e Serbisë
Dallimi bëhet edhe më i madh kur të ardhurat në Preshevë krahasohen me mesataren kombëtare.
Në qershor, paga mesatare neto në Serbi arriti në 120.401 dinarë, që do të thotë se paga mesatare në Preshevë ishte rreth 37.600 dinarë më e ulët.
Në nivel të Rrethit të Pçinjës, ku bëjnë pjesë Presheva dhe Bujanoci, paga mesatare ishte 94.045 dinarë.
Ndërkaq, në Rrethin e Jabllanicës, ku bën pjesë Medvegja, paga mesatare ishte 92.090 dinarë.
Në komunat e tjera të këtij rrethi, pagat mesatare ishin: Lebane 88.350 dinarë, Crna Trava 88.008, Vlasotinca 84.445 dhe Bojniku 83.755 dinarë.
Gjysma e të punësuarve në Serbi marrin më pak se 94 mijë dinarë
Të dhënat zyrtare tregojnë se paga mediane në Serbi gjatë qershorit ishte 94.281 dinarë. Kjo do të thotë se gjysma e të punësuarve kanë marrë deri në këtë shumë, ndërsa gjysma tjetër kanë pasur të ardhura më të larta.
Në krye të listës vazhdon të jetë komuna Stari Grad në Beograd, ku paga mesatare në qershor arriti në 194.499 dinarë.
Megjithatë, rritja e pagave është evidentuar në të gjithë vendin. Krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, paga mesatare neto në Serbi është rritur 12,4 për qind në terma nominalë, ndërsa rritja reale ka qenë 9,4 për qind.
Për Preshevën, shifrat e qershorit tregojnë se, pavarësisht rritjes së përgjithshme të pagave në vend, komuna vazhdon të jetë në mesin e zonave me të ardhurat mesatare më të ulëta në Serbi.
