Gjatë ditës së djeshme pas një kohe të gjatë kanë reaguar në llogaritë e tyre në Facebook, kryetari i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu dhe ai i Alternativës për Ndryshim, Visar Mehmeti.
Kryetari i Lëvizjes për Reforma në Preshevë, Sami Salihu, ka reaguar ndaj qeverisjes lokale të udhëhequr nga koalicioni mes Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH).
Përmes një postimi në Facebook, ai ka akuzuar pushtetin aktual për mungesë të plotë të investimeve dhe veprimeve konkrete në komunë.
“Shkoi edhe ky muaj dhe asnjë gozhdë e vetme nuk u vu askund nga ky pushtet lokal në Preshevë”, ka shkruar ai mes tjerash.
Salihu ka vënë theksin te mungesa e projekteve zhvillimore, duke e cilësuar administratën aktuale si të paaftë për të sjellë ndryshime të prekshme për qytetarët. Kritikat e tij drejt qeverisjes në Preshevë vijnë kohë pas kohe, kryesisht përmes rrjetit social Facebook.
Reagimi i tij ka nxitur diskutime mes qytetarëve dhe pritet të shihet nëse qeverisja lokale do të japë një përgjigje ndaj këtyre akuzave.
Në vazhdim ju sjellim reagimin e plotë të tij, të publikuar në Facebook:
Shkoi edhe ky muaj dhe asnjë gozhdë e vetme nuk u vu askund nga ky pushtet lokal në Preshevë.
Asnjë gozhdë e vetme për një vit.
Pra, nuk është çështje e muajit të bekuar të Ramazanit, por çështje paaftësie.
Sa më shpejt të kthehet Ardita në shtëpi, aq më shpejt do të ketë mundësi për ndonjë gozhdë në Preshevë.
E përveç Salihut, në Facebook ka reaguar edhe kryetari i Alternativës për Ndryshim në Preshevë, Visar Mehmeti.
Mehmeti përmes një postimi në Facebook, ka reaguar ne lidhje me menaxhimin e Fondit të Qeverisë së Kosovës për Luginën nga ana e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KNSH).
Ai ka akuzuar si ish-kryetarin Nevzad Lutfiu, dhe kryetarin aktual Enkel Rexhepi, për humbjen e 4 milionë eurove të destinuara për shqiptarët e Luginës.
Sipas Mehmetit, gjatë vitit 2023, Kosova kishte ndarë 2 milionë euro përmes KNSH-së, ndërsa për vitin 2024 ishin ndarë 3 milionë euro, por vetëm 1 milion është realizuar, ndërsa 2 milionë euro nuk janë inicuar fare për realizim. Kjo, sipas tij, dëshmon paaftësinë dhe mungesën e përgjegjësisë së udhëheqjes së KNSH-së, e cila nuk ka arritur të shfrytëzojë këto fonde të garantuara për komunitetin shqiptar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
“Derisa ish-kryetari i KNSH-së Nevzad Lutfiu përpiqet të shesë moral dhe të derdhë lot krokodili përmes postimeve të tij në rrjete sociale, ai duhet të dalë dhe të sqarojë se përse, gjatë mandatit të tij dyvjeçar si kryetar i KNSH-së, janë humbur 4 milionë euro, mjete këto të ndara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.” ka shkruar Mehmeti në Facebook.
Mehmeti e ka cilësuar këtë situatë si pasojë të përplasjeve të brendshme dhe interesave personale mes drejtuesve të KNSH-së, duke theksuar se lufta për pushtet dhe dominim politik ka lënë në hije nevojat reale të shqiptarëve të Luginës.
Ky reagim ka ngjallur debat në opinionin publik, duke ngritur pyetje mbi përgjegjësinë institucionale dhe fatin e këtyre fondeve të humbura.
Në vazhdim ju sjellim reagimin e plotë të Mehmetit të publikuar në Facebook:
UDHËHEQËSIT E “AFTË” TË KNSH-SË BRENDA DY VITEVE HUMBIN 4 MILION EURO TË NDARA NGA QEVERIA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS PËR SHQIPTARËT E LUGINËS!!!
Derisa ish-kryetari i KNSH-së Nevzad Lutfiu përpiqet të shesë moral dhe të derdhë lot krokodili përmes postimeve të tij në rrjete sociale, ai duhet të dalë dhe të sqarojë se përse, gjatë mandatit të tij dyvjeçar si kryetar i KNSH-së, janë humbur 4 milionë euro, mjete këto të ndara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Kur dihet se për vitin 2023, nga buxheti i Kosovës ishin ndarë 2 milionë euro si ndihmë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, përmes KNSH-së. Ndërsa për vitin 2024, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 3 milionë euro për Luginën, ku vetëm 1 milion është realizuar, ndërsa 2 milionë euro nuk janë iniciuar fare për realizim, për shkak të paaftësisë së strukturave drejtuese, me në krye ish-kryetarin e KNSH-së.
Pra, në total, brenda dy viteve të fundit, këta individë të paaftë dhe të papërgjegjshëm nuk kanë qenë në gjendje të realizojnë 4 milionë euro të dedikuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ndonëse fondet kanë qenë të garantuara nga buxheti i Republikës së Kosovës.
E gjithë kjo situatë ka ardhur si pasojë e tekeve personale dhe mospajtimeve mes “partnerëve”, të cilët janë përfshirë në një luftë për ndarjen e “kulaçit” dhe për përcaktimin e asaj se kush do të ketë primatin dhe kush do të jetë “bossi” i kësaj çështjeje.