Ndeshja e planifikuar për sot mes KF Tërnocit dhe ekipit Mlladost nga Bosilegradi nuk u zhvillua, pasi mysafirët nuk arritën të udhëtonin drejt fushës së Tërnocit.
Ky zhvillim ka shkaktuar zhgënjim te tifozët dhe lojtarët e Tërnocit, të cilët ishin të gatshëm të përballeshin në fushë.
Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale, klubi i Tërnocit theksoi se kishte përmbushur të gjitha masat e kërkuara nga Federata e Futbollit dhe Policia, duke treguar gatishmëri dhe profesionalizëm të lartë.
Në njoftimin e klubit, theksohet se sporti bashkon njerëzit dhe se fusha e lojës është vendi ku mund të vlerësohen kualitetet e një skuadre. Rezultati zyrtar 3:0 është vetëm formalitet, pasi dëshira e lojtarëve të Tërnocit ishte të përballeshin dhe të fitonin në terren.
KF Tërnoci falënderon tifozët për mbështetjen e vazhdueshme dhe thekson se do të vazhdojë të punojë për të ruajtur standardet e larta të futbollit lokal.
Në vazhdim ju sjellim njoftimin e plotë të KF Tërnoci të publikuar në faqen e klubit në facebook:
Ne gjithomë jemi të gatshëm dhe çdoherë në suaza të sportit
Për fatin e keq të shikuesve të shumtë të ekipit tonë, ndeshja e sotme me ekipin Mlladost nga Bosilegradi nuk u zhvillua pasi që mysafirët nuk udhëtuan në fushën tonë.
Sigurimi i të gjitha masave nga klubi ynë të kërkuara nga Federata dhe Policia dëshmon pjekurinë dhë gatishmërinë tonë se jemi në nivele shumë më të larta se sa mendojnë të tjerët.
Ne konsiderojmë se sporti bashkon njerëzit dhe se në futboll, fusha është ajo që tregon kualitetet e një skuadre.
Rezultati zyrtar 3:0 nuk na bën edhe shumë përshtypje.
Dëshira e flakët e djelmoshave tanë ishte që në fushë ta mundnim kundërshtarin pamëshirshëm!
Forca KF Tërnoci