Nisin zgjedhjet në Itali! Gjithçka që duhet të dini

Sot Italia zgjedh qeverinë e re në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Zgjedhjet e parakohshme u nxitën pasi mosmarrëveshjet e brendshme rrëzuan në korrik Qeverinë e Unitetit Kombëtar të ish-kryeministrit Mario Draghi.


Kush pritet të dalë fitues?

Sondazhet treguan vazhdimisht se një koalicion i qendrës së djathtë i udhëhequr nga partia nacionaliste, Vëllezërit e Italisë, e Giorgia Melonit dhe që përfshinte gjithashtu partinë Liga Veriore të Matteo Salvinit dhe Forza Italia të Silvio Berlusconit ishin në rrugën e duhur për një fitore të qartë.

Liderja e partisë Vëllezërit e Italisë, Giorgia Meloni, do të ishte zgjidhja më e mundshme për postin e kryeministrit, si kryetare e partisë kryesore të koalicionit.

Ka pasur spekulime gjatë mbylljes së sondazheve se Liga Veriore ka pësuar rënie të ndjeshme, ndërsa është rritur mbështetja për partinë me prirje të majta, Lëvizja 5-Yje.

Çfarë do të jetë vendimtare?

Partia Vëllezërit e Italisë ka pasur një rritje të mbështetjes elektorale pasi qëndroi jashtë Qeverisë së Draghit. Liga Veriore, e udhëhequr nga Matteo Salvini dhe Forza Italia e Silvio Berlusconit ishin të dyja pjesë e Qeverisë dhe mbështetja ndaj tyre ka rënë.

E djathta është ndihmuar edhe nga ndasitë e bllokut të së ashtuquajturës “qendra e majtë”, ku përpjekjet e Partisë kryesore Demokratike (PD) për të formuar një aleancë të gjerë elektorale, dështuan.

Si rrjedhojë, tashmë janë tri grupe kryesore të qendrës së majtë që luftojnë për vota – PD-ja dhe aleatët e saj; partia qendrore Veprimi dhe aleati i saj Italia Viva; dhe në fund Lëvizja 5 yjet.

Sistemi zgjedhor i Italisë favorizon grupet që janë në gjendje të krijojnë aleanca të gjera, me gjasë duke favorizuar fitoren e bllokut të krahut të djathtë.

Cilat janë çështjet kryesore për votuesit?

Ashtu si në shtetet e tjera evropiane, kriza dhe rritja e kostos së jetesës ka lënë në hije shqetësime të tjera si emigrimi, pensionet dhe shërbimet publike. Aleanca konservatore ka kërkuar uljen e taksave në të gjithë vendin për të ndihmuar italianët të përballen me rritjen e çmimeve, ndërsa PD-ja kërkon që ulja e taksave të përqendrohet drejt shtresave me të ardhura më të ulëta.

Lëvizja 5-Yjet ka përkrahur një skemë për lehtësimin e varfërisë të quajtur “paga e qytetarëve” që ajo e prezantoi derisa ishte pjesë e Qeverisë.

Meloni ka shprehur mbështetjen e saj për politikat perëndimore ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës. Salvini i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mbrojë italianët nga efektet anësore ekonomike të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë mbi agresionin e saj ushtarak ndaj Ukrainës.

Berlusconi shkaktoi polemika të premten teksa mbrojti Putinin, duke thënë se ai ishte “shtyrë” në luftën kundër Ukrainës dhe se donte vetëm të instalonte një qeveri “njerëzish për së mbari” në Kiev.

Cilët janë aktorët kryesorë?

Meloni, 45 vjeç, një ish-ministre e Rinisë, i ka dhënë vitalitet partisë së saj, e cila ka rrënjë post-fashiste dhe pritet që të marrë 25 për qind të votave, krahasuar me 4 për qind që kishte marrë në zgjedhjet e fundit në vitin 2018. Salvini, 49 vjeç, një ish-ministër i Brendshëm, i cili mban një qëndrim të ashpër ndaj emigracionit, por që ka bërë një sërë gabimesh politike gjatë tre vjetëve të fundit dhe është eklipsuar nga Meloni.

Berlusconi, 85 vjeç, një ish-kryeministër që ka arritur të mposhtë shëndetin e lig dhe skandalet e shumta duke mbetur një lojtar kryesor në aleancën e djathtë, edhe pse tashmë Forza Italia e tij është partneri më i vogël mes tri partive kryesore të saj. Enrico Letta, 56 vjeç. Kreu i Partisë Demokratike dhe një tjetër ish-kryeministër. Dështimi i tij për të ndërtuar një koalicion të qëndrueshëm të partive të qendrës së majtë bëri që ai të përballej me një disfatë politike. Giuseppe Conte, 58 vjeç, udhëheqës i Lëvizjes 5-Yjet. Si kryeministër gjatë periudhës 2018-21, ai shkaktoi zemërim kur partia e tij tërhoqi në korrik mbështetjen ndaj Qeverisë së Draghit, duke nxitur përçarje që çuan në zgjedhje të parakohshme.

Kur mbahen votimet?

Vendvotimet janë të hapura nga ora shtatë e mëngjesit deri në orën 23:00 sipas kohës lokale. Pothuajse 51 milionë italianë kanë të drejtë të votojnë, nga të cilët 4.7 milionë jetojnë jashtë vendit. Votuesit do të zgjedhin një Parlament me një numër të reduktuar ulësesh në Dhomën e Ulët (400 nga 630), ndërsa Senati do të ketë 200 vende nga 315 të mëparshme.

Ku është fokusi?

Synimi kryesor i koalicionit të djathtë do të jetë fitimi i shumicës në të dy dhomat e Parlamentit. Kjo dukej se ishte pothuajse e sigurt kur u publikuan sondazhet e fundit, por një rritje e mbështetjes ndaj Lëvizjes 5-Yjet në jug mund ta bëjë më të vështirë fitoren në Dhomën e Lartë në Senat. Një shumicë prej më shumë se dy të tretave do t’i hapte rrugën Parlamentit për të bërë ndryshime në Kushtetutë pa pasur nevojën e referendumeve. Parlamentarët e zgjedhur nga zonat elektorale jashtë territorit të Italisë mund të ndryshojnë ekuilibrin në një garë të ngushtë — ka tetë vende të tilla në dispozicion në Dhomën e Ulët dhe katër në Senat.

Çfarë pritet të ndodhë më pas?

Parlamenti i ri do të mblidhet më 13 tetor. Pas kësaj date, presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, mund të fillojë konsultimet me drejtuesit e partive për të diskutuar për kabinetin e ri qeveritar./REL

ARTIKUJT E NGJASHËM

Donald Trump drejt fitores në zgjedhje

PreshevaPRESS

Avionët e parë luftarakë F-16 mbërrijnë në Ukrainë

PreshevaPRESS

Izraeli: Konfirmohet vrasja e liderit ushtarak të Hamasit, Deif

PreshevaPRESS