Shkruan: Nehat Hyseni – Zëdhënës i Referendumit
I. Konteksti Historik (1990–1992)
Vitet 1990–1992 përbëjnë një periudhë kthese dhe ndryshimesh radikale në historinë politike të popujve të ish-Jugosllavisë. Ishte koha kur Federata po shpërbëhej nën presionin e nacionalizmit shtetëror serb, të institucionalizuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Në këtë klimë represioni, popujt jo-serbë u orientuan drejt referendumit si instrument legjitim i vetëvendosjes.
Pas referendumit të Kosovës në shtator 1991 për pavarësi, pas referendumit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ne janar 1992 dhe atij të Sanxhakut, si dhe në të njëjtën kohë me referendumin e Bosnjës më 29 shkurt–1 mars 1992, edhe shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës organizuan Referendumin e tyre historik më 1–2 mars 1992.
Edhe serbët e Krajinës së Kninit në Kroaci kishin mbajtur referendum për shkëputje, megjithëse pa kontinuitet territorial me Serbinë. Ndërsa shqiptarët e Luginës kishin dhe kanë kontinuitet territorial me Kosovën – një fakt juridik e gjeografik i pamohueshëm.
Ishte pra një epokë kur referendumet organizoheshin në territorin e ish Jugosllavisë dhe përfaqësonin mjetin më demokratik për shprehjen e vullnetit kolektiv.
II. Rrethanat që çuan në Referendumin e Luginës së Preshevës
Referendumi i 1–2 marsit 1992 nuk ishte akt spontan, por rezultat i një procesi të mirëmenduar dhe të mirëorganizuar politik. Në cilësinë e zëdhënësit të referendumit, bashkë me Riza Halimin, Ali Ahmetin dhe Ibrahim Kadriun hartuam dokumentat e Referendumit dhe ua dërguam paraprakisht si njoftime zyrtare në gjuhën shqipe dhe serbe institucioneve shtetërore të atëhershme të Serbisë dhe Jugosllavisë, përfshirë edhe vetë Sllobodan Millosheviqit.
Data e Referendumit u përcaktua qëllimisht në të njëjtën kohë me referendumin e Bosnjës, me shpresën se prania e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe fokusi i Bashkimit Evropian do të përfshinte edhe Luginën. Ishte një vendim i guximshëm politik: pragmatik, diplomatik dhe vizionar.
Pyetja e Referendumit ishte e qartë: “A jeni për Autonomi Politike e Territoriale të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me të drejtë bashkimi me Kosovën?”
Pjesëmarrja ishte masive dhe rezultati plebishitar në favor të autonomisë dhe bashkimit me Kosovën, Serbia e injoroi juridikisht aktin, por referendumi u pasqyrua nga agjenci ndërkombëtare si Reuters, CNN, Associated Press, etj. duke e bërë të njohur në opinionin ndërkombëtar faktin se shqiptarët në Serbi përbënin komunitetin më të diskriminuar në Evropë dhe kërkojnë zgjidhje të problemit.
III. Nga regjimi i Millosheviqit te ai i Vuçiqit: vazhdimësi e diskriminimit
Edhe pas rënies së Millosheviqit, diskriminimi ndaj shqiptarëve të Luginës vazhdoi nën qeverisjen e Aleksandar Vuçiq.
Format kryesore të diskriminimit te shqiptarëve në Luginën e Preshevës përfshijnë:
- Mosnjohjen e diplomave të Kosovës, duke pamundësuar integrimin profesional të të rinjve.
- Fshirjen administrative të adresave, një praktikë që synon reduktimin artificial të numrit të shqiptarëve.
- Margjinalizimin institucional në polici, gjyqësor dhe administratë.
- Paralajmërimet për shërbim të detyrueshëm ushtarak, që ngjallin frikë të thellë tek të rinjtë dhe familjet shqiptare, duke kujtuar rastet e shumta kur ushtarët shqiptarë në ish-ushtrinë jugosllave ktheheshin të vdekur në arkivole me arsyetimin zyrtar “vetëvrasje”!
Këto forma përbëjnë një model të diskriminimit strukturor, që bie ndesh me standardet evropiane dhe me kriteret e Kopenhagës për integrim në BE.
IV. Rezoluta 6411 e Kongresit Amerikan: përmbajtja dhe rëndësia strategjike
Rezoluta 6411 e Kongresit të Shteteve të Bashkuara paraqet një zhvillim historik në ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve në Serbi. Ajo:
- Dënon diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
- Kërkon respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave kolektive.
- Thekson nevojën për përfaqësim proporcional institucional.
- Nënvizon domosdoshmërinë e ndërprerjes së praktikave diskriminuese administrative.
Në planin praktik, kjo rezolutë:
- E vendos çështjen e Luginës në agjendën e politikës së jashtme amerikane.
- Krijon bazë për kushtëzim diplomatik ndaj Serbisë.
- Ofron garanci morale e politike për sigurinë e shqiptarëve.
- Forcon dimensionin ndërkombëtar të kërkesës për barazi.
Në planin afatgjatë, rezoluta përbën instrument presioni demokratik për transformimin e Serbisë në një shtet që respekton minoritetet.
V. Sfidat e brendshme dhe domosdoshmëria
e unitetit politik
Në këtë moment historik, kur Kongresi Amerikan është i fokusuar në çështjen e diskriminimit, fragmentimi politik shqiptar në Luginë paraqet rrezik serioz.
Koalicione të caktuara lokale me parti serbe, jashtë konsensusit kombëtar, kanë dobësuar pozicionin negociues shqiptar dhe kanë sfiduar Planin 7-pikësh të vitit 2013 – dokument i miratuar me konsensus nga të gjitha partitë shqiptare të Luginës.
Zëvendësimi i tij me projekte të njëanshme që nuk përfaqësojnë unitetin shqiptar rrezikon të minojë përfitimet diplomatike të arritura me shumë mund.
Historia e referendumit të 1992-shit dëshmon se shqiptarët e Luginës janë të fortë vetëm kur veprojnë të bashkuar.
Përfundim: Drejtimi strategjik
34-vjetori i Referendumit nuk është vetëm përkujtim historik. Është rikujtim i një mandati politik që mbetet i hapur.
Në një kohë kur çështja e Luginës po trajtohet në instanca të larta ndërkombëtare, përfshirë Kongresin Amerikan, lidershipi shqiptar duhet:
- Të rikthejë unitetin strategjik.
- Të koordinojë veprimet me Prishtinën dhe partnerët ndërkombëtarë.
- Të kërkojë zbatim konkret të standardeve evropiane për minoritetet.
- Të artikulojë qartë kërkesën për barazi, siguri dhe vetëvendosje.
Referendumi i 1–2 marsit 1992 ishte akt i vullnetit politik i të gjithë shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Rezoluta 6411 është akt i ndërgjegjes ndërkombëtare dhe premtues se, më ne fund, Serbia do të detyrohet të heq dorë nga diskriminimi dhe spastrimi etnik i shqiptarëve në Serbi.
Tani është koha që këto dy dimensione – vullneti popullor dhe mbështetja ndërkombëtare – të bashkohen në një strategji të qartë për të ardhmen e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës – Luginës së Preshevës.
