Në Preshevë e pamundur të detektohen të infektuarit me Omicron

Varianti i ri afrikano-jugor i Covid19 i cili u zbulua në fund të vitit të kaluar, konsiderohet se ka pësuar më shumë mutacione se të gjitha variantet tjera dhe së është shumë ngjitës. Për këtë, OBSH ka ngritur alarm për masa të rrepta kundër përhapjes së tij.


Varianti Omicron i koronavirusit nuk duhet të kategorizohet si “i butë”, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke paralajmëruar për një “cunami” të infektimeve globale.

“Ndonëse Omicron duket se nuk shkakton sëmurje të rënda në krahasim me Deltan, sidomos te personat e vaksinuar, kjo nuk nënkupton se ai duhet të konsiderohet i butë”, ka thënë Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në të njëjtën konferencë për media dy ditë më parë.

Sa i përket situatës në Preshevë, Shtëpia e Shëndetit në Preshevë nuk ka kapacitet laboratorik për të kuptuar nëse qytetarët e këtij vendi janë të infektuar me Omicron, kështu deklaroi për PreshevaPRESS kordinatori i kovid ambulancës, njëherit dhe zëvënës drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, Astrit Berisha.

“Duke u bazuar në informacionet nga OBSH që deklarojnë se ky soj i ri i virusit është prezent në gjithë botën, besoj se edhe te ne është prezent. Ne nuk kemi mundësi laboratorike që të verifikojmë këtë sepse kjo analizë bëhet vetëm nëpër qendrat e medha.” ka thënë Berisha për PreshevaPRESS.

Edhe pse Omicron u përcaktua një variant “shqetësues” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, studimet sugjerojnë se Omicron ka më pak gjasa të sëmurë rëndë qytetaret në krahasim me variantet e mëparshme, gjë që e pohon edhe Berisha për PreshevaPRESS.

“Thuhet që fotografia klinike me Omricon është pak më e lehtë, prek rrugët e sipërme të frymëmarrjes kryesisht dhe lajmërohet te mosha më e re, por gjithesesi masat parandaluse dhe mjekimi mbetet i njejtë si te varianti delta, e ato janë vaksinimi, mbajtja e maskës, distanca, dezinfektimi i duarve.” tha Berisha.

Epidemiologu Predrag Kon, ka thënë se në ditët në vijim numri i infeksioneve të reja me koronavirus pritet të rritet në numra pesëshifror në nivel ditor, si pasojë e grumbullimit më të madh të njerëzve gjatë festave të fundvitit.

Përkundër faktit se në Preshevë nuk mundet të detektohet varianti Omicron, nga 1 janari deri më 9 janar, në kovid ambulancën në Preshevë ndihmë kanë kërkuar 218 qytetarë. Sipas zëvendësdrejtorit Berisha, janë kryer 179 testime me antigjen, nga të cilat 11 kanë dalur pozitiv dhe 168 negativ, por për 10 ditët e kaluara nuk ka asnjë hospitalizim.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

PreshevaPRESS

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

PreshevaPRESS

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”

PreshevaPRESS