Ekspozita personale e artistit Agron Blakçori hapet më 28 gusht në hapësirat e Bukëpjekësit “Drini i Bardhë”, ndërsa do të qëndrojë e hapur deri më 15 dhjetor.
Në Preshevë do të hapet këtë javë ekspozita personale e artistit Agron Blakçori, me titull “Vizatimi në Lumë”, një projekt i organizuar nga organizata “DELFIN – Instituti i Artit Bashkëkohor”.
Ekspozita do të hapet më 28 gusht 2026, në orën 11:00, në hapësirat e furrës “Drini i Bardhë”, në rrugën “15 Nëntori”, nr. 64, në Preshevë, dhe do të jetë e hapur për publikun deri më 15 dhjetor.
E veçanta e ekspozitës është edhe hapësira ku është vendosur.
Në vend të një galerie tradicionale, veprat do të prezantohen në një furrë – një hapësirë që lidhet me punën e përditshme, ujin, zjarrin, miellin dhe përsëritjen.
Sipas konceptit të ekspozitës, “Vizatimi në Lumë” e trajton vizatimin përmes marrëdhënies mes gjurmës dhe zhdukjes, kujtesës dhe harresës, pranisë dhe humbjes.
“Vizatimi në Lumë” e sheh vizatimin jo vetëm si krijim të një imazhi, por si një proces të vazhdueshëm të mendimit dhe si një formë këmbënguljeje përballë asaj që tenton ta fshijë gjurmën.
Në këtë projekt, lumi shërben si një pikënisje për reflektim mbi atë që mbetet dhe atë që zhduket, ndërsa prania e tij lidhet me kujtesën dhe përkatësinë.
Konferenca për media dhe hapja e ekspozitës do të zhvillohen më 28 gusht 2026, duke filluar nga ora 11:00, në Bukëpjekësin “Drini i Bardhë” në Preshevë.
Kush është Agron Blakçori?
Agron Blakçori i lindur në vitin 1981 në Podujevë, jeton dhe punon në Prishtinë. Ai ka përfunduar studimet në Skulpturë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, ndërsa në vitin 2008 ka përfunduar studimet master.
Praktika e tij artistike përfshin skulpturën dhe instalacionin, përmes përdorimit të materialeve të ndryshme, objekteve të gatshme dhe ndërhyrjeve në hapësirë.
Në punën e tij trajtohen marrëdhëniet mes njeriut, natyrës dhe hapësirës, si dhe tema sociale e ekologjike, kujtesa, humbja dhe traumat e së kaluarës.
DELFIN, një institucion i ri i artit në Preshevë
Ekspozita organizohet nga DELFIN – Instituti i Artit Bashkëkohor, i themeluar në Preshevë në vitin 2025 nga Hatixhe Ibrahimi, Dena Dalipi dhe Sislej Xhafa.
Instituti është i përkushtuar ndaj artit bashkëkohor, kërkimit, edukimit dhe prodhimit kulturor, ndërsa synon që Preshevën ta trajtojë jo si periferi, por si hapësirë ku mund të zhvillohen projekte artistike me karakter rajonal dhe ndërkombëtar.
Përmes ekspozitave, rezidencave dhe projekteve të ndryshme, DELFIN synon ta lidhë kontekstin lokal me skenën më të gjerë të artit bashkëkohor.




