Në Corroticë hapet grupi i ri parashkollor për fëmijët 3–5 vjeç

Në fshatin Corroticë të Komunës së Preshevës është hapur grupi i ri i përzier parashkollor për fëmijët e moshës 3 deri në 5 vjeç, duke krijuar një hapësirë të re për edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve të kësaj zone.


Hapja u bë në prani të kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, zëvendësit të saj, Ragmi Mustafës, drejtorit të Entit Parashkollor “8 Marsi” në Preshevë, Bejzad Asllanit, si dhe drejtorit të Shkollës Fillore “Dituria” në Corroticë.

Sipas përfaqësuesve institucionalë, grupi i ri synon të krijojë kushte më të përshtatshme për edukimin parashkollor, ndërsa njëkohësisht paraqet edhe lehtësim për familjet e fëmijëve nga Corrotica dhe Shoshaja.

Drejtori i Entit Parashkollor “8 Marsi”, Bejzad Asllani, e cilësoi hapjen si një hap të rëndësishëm për fëmijët e komunitetit.

“Një hap i rëndësishëm në krijimin e kushteve të përshtatshme dhe mundësive të barabarta për fëmijët”, u shpreh Asllani.

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, theksoi se hapja e klasës së re përfaqëson një investim konkret në shërbimet për fëmijët dhe familjet.

“Hapëm klasën e re të çerdhes për moshat 3–5 vjeç — një investim konkret për fëmijët dhe lehtësim për familjet”, deklaroi Sinani.

Ndërkaq, zëvendëskryetari i komunës, Ragmi Mustafa, tha se krijimi i hapësirave të reja parashkollore është pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e kushteve për edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve.

“Ky investim përfaqëson një angazhim konkret në mbështetje të fëmijëve dhe familjeve, si dhe një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve parashkollore në komunitetin tonë”, tha Mustafa.

Grupi i përzier do të përfshijë fëmijë të moshës 3 deri në 5 vjeç, ndërsa hapja e tij synon t’u ofrojë familjeve të Corroticës dhe Shoshajës një mundësi më të afërt për përfshirjen e fëmijëve në edukimin parashkollor.

Hapja e kësaj paraleleje vjen si një masë konkrete për zgjerimin e shërbimeve parashkollore dhe krijimin e kushteve më të mira për fëmijët në zonat rurale të Komunës së Preshevës.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Me gati dy muaj vonesë, PVD shënon 36-vjetorin dhe nis takimet në prag të zgjedhjeve parlamentare

PreshevaPRESS

Mandate pa pushtet:  Sfida e shqiptarëve të Luginës në Parlamentin e Serbisë

PreshevaPRESS

Dega e PVD-së në Preshevë mbledh të gjitha organet, diskutohen përgatitjet për zgjedhje

PreshevaPRESS