Gazeta Nacionale: Shqiptarët e Luginës harrojnë Vuçiqin, i shpallin luftë njëri-tjetrit

Gazeta më e re në Kosovë, Nacionale.com, ka publikuar një artikull në lidhje me situatën aktuale në Luginë, të krijuar rreth zgjedhjeve parlamentare në Serbi. 


Zgjedhjet e vitit 2020 në Serbi kanë qenë të parat, dhe ndoshta do të jenë të vetmet kur subjektet politike shqiptare të Luginës së Preshevës kanë qenë të unifikuar në një listë zgjedhore. Përfaqësuesit e këtyre partive i kanë harruar problemet me Serbinë dhe kanë filluar luftën e votave për zgjedhjet e 3 prillit

Partitë politike shqiptare në Luginë të Preshevës nuk do të jenë të bashkuara në zgjedhjet nacionale të 3 prillit në Serbi. Udhëheqësit e këtyre partive kanë vendosur që në këto zgjedhje të shkojnë me dy lista zgjedhore. Edhe pas disa javësh bisedime, ata nuk kanë mundur të gjejnë një gjuhë të përbashkët për një listë të unifikuar.

Kryetari i Alternativa për Ndryshim, Shqiprim Arifi, ka deklaruar për gazetën Nacionale se më nuk ka asnjë mundësi që shqiptarët të jenë në një listë.

“Jo, nuk është më e mundshme, sepse tashmë listat janë vetëm në procedura. Kjo si rrjedhojë e asaj që kemi pasur katër javë diskutime dhe negociata. Si konkluzion nga këto negociata, ka rrjedhë që njëra nga partitë e spektrit politik shqiptar këtu në Luginë, ka thyer marrëveshjen e vitit 2020, e cila ka qenë një standard me kritere të plota se si ndërtohet lista. Kjo është partia e ish-deputetit Kamberi, e cila nuk ka dashur t’i përmbahet kësaj marrëveshje. Për këtë arsye, edhe nuk kemi arritur ta bëjmë atë që e kemi bërë në vitin 2020”, – ka thënë Arifi për Nacionale.com.

Ai ka fajësuar drejtpërdrejt ish-deputetin Shaip Kamberi për përçarje në mes të shqiptarëve të kësaj pjese. Arifi ka thënë se Kamberi është një person që ka kontribuar që me listën e vet tani ta përçajë Preshevën dhe Bujanocin, duke i marrë me zor në koalicion dy parti, të cilat i ka kërcënuar me koalicion lokal.

Këto akuza i ka hedhur poshtë, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, i cili ka treguar për gazetën Nacionale arsyet e mosbashkëpunimit me Alternativen për Ndryshim.

“Ne patëm qëndrime të kundërta rreth çështjes esenciale me Alternativën për Ndryshim, të cilës më vonë iu bashkua edhe grupi qytetar ‘Lëvizja për reforma’, rreth konceptit politik që duhet ndjekur pas zgjedhjeve. Alternativa dhe grupi qytetar Lëvizja për Reforma u deklaruan se janë për një politikë ‘pragmatike’ me Beogradin, pa sqaruar qartë se çfarë nënkupton ky pragmatizëm. Ne jemi për të biseduar me autoritetet qendrore, por vetëm për çështjet ekzistenciale të shqiptarëve që janë të përmendura në kuadër të Planit shtatë-pikësh, e kurrsesi për një pragmatizëm që nënkupton disa benefite individuale apo grupore që mund të ofrojë qeveria e re”, – ka thënë Kamberi për gazetën Nacionale.

Me ndërmjetësimin e ish-ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, në vitin 2020, partitë politike shqiptare, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Lëvizja për Progres Demokratik, Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare dhe Partia Demokratike, kishin arritur marrëveshje që për zgjedhjet e asaj kohe të garojnë me një listë të përbashkët zgjedhore.

Kjo ishte hera e parë në historinë e pluralizmit politik që subjektet politike shqiptare në Luginë të Preshevës ishin bashkuar, shkruan gazeta Nacionale. Artikullin e plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

PreshevaPRESS

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

PreshevaPRESS

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”

PreshevaPRESS