Musliu kërkon bashkim politik të shqiptarëve në Bujanoc para zgjedhjeve parlamentare në Serbi

Kryetari i LPD-së, Shqiprim Musliu, ka reaguar lidhur me idenë e një liste të përbashkët shqiptare në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi.


Në një postim të publikuar në Facebook, Musliu ka rikujtuar se para dy vitesh, si Tirana ashtu edhe Prishtina, kishin bërë thirrje për krijimin e një liste gjithëshqiptare me synim mbrojtjen e interesave shqiptare të Bujanocit.

“Nuk duhet të harrojmë se para dy vitesh, si Tirana ashtu edhe Prishtina, bënë thirrje për një listë gjithëshqiptare për ta mbrojtur Bujanocin”, ka shkruar Musliu.

Ai është shprehur në favor të një liste të përbashkët, duke vlerësuar se bashkimi do t’u mundësonte shqiptarëve të Luginës të kishin më shumë peshë dhe zë.

“Unë jam plotësisht për një listë të përbashkët, sepse vetëm të bashkuar mund të kemi më shumë peshë dhe zë”, thuhet mes tjerash në këtë postim.

Megjithatë, Musliu ka theksuar se bashkimi nuk duhet të kufizohet vetëm te zgjedhjet parlamentare, por sipas tij duhet të nisë në nivel lokal, në Bujanoc.

“Por çfarë kuptimi do të ketë në parlamentare të bashkuar, e në lokale të përçarë”, ka shkruar ai, duke propozuar që partitë të ulen dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët.

Sipas Musliut, hapi i parë duhet të jetë bashkimi politik në Bujanoc, ndërsa më pas, si të bashkuar, mund të ndërmerren edhe hapa të tjerë.

“Hapi i parë duhet të jetë këtu, në Bujanoc të ulemi bashkë, të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe të bëhemi një. Pastaj, si të bashkuar, mund të mendojmë për çdo hap tjetër”, ka theksuar kryetari i LPD-së.

Në përfundim të reagimit, Musliu ka përsëritur mesazhin e tij për unitet politik të shqiptarëve në Bujanoc duke thënë se “Përçarja nuk na çon përpara, bashkimi na jep forcë”.

Në Serbi pritet të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa gjatë muajit tetor pritet të zhvillohen edhe zgjedhjet e rregullta për Këshillin Kombëtar Shqiptar.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Me gati dy muaj vonesë, PVD shënon 36-vjetorin dhe nis takimet në prag të zgjedhjeve parlamentare

PreshevaPRESS

Mandate pa pushtet:  Sfida e shqiptarëve të Luginës në Parlamentin e Serbisë

PreshevaPRESS

Dega e PVD-së në Preshevë mbledh të gjitha organet, diskutohen përgatitjet për zgjedhje

PreshevaPRESS