Për herë të parë pas disa ciklesh zgjedhore, shqiptarët e Luginës së Preshevës po hyjnë të bashkuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi. Por historia e përfaqësimit të tyre në Parlamentin e Serbisë tregon se sfida nuk ka qenë vetëm numri i mandateve të siguruara, por edhe ajo që është arritur të bëhet me to për qytetarët e Luginës.
Një listë e përbashkët për një sfidë të kahmotshme
Më 25 tetor, të gjitha partitë shqiptare të Luginës do të garojnë përmes listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar”. Marrëveshja e arritur më 29 shtator në Prishtinë, në prani të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, bashkoi në një listë subjektet politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.

Ky nuk është bashkimi i parë elektoral i partive shqiptare. Në zgjedhjet e vitit 2020, subjektet shqiptare garuan gjithashtu në një listë të përbashkët dhe siguruan tri mandate në Kuvendin e Serbisë.
Por, pavarësisht përfaqësimit parlamentar, shqiptarët e Luginës nuk kanë arritur të bëhen pjesë e shumicës parlamentare në Beograd. Prandaj, zgjedhjet e 25 tetorit shtrojnë një pyetje më të gjerë se sa numri i deputetëve: a mund ta shndërrojë “Koalicioni Shqiptar” bashkimin elektoral në përfaqësim dhe ndikim më të madh politik për Luginën?
Shqiptarët në Parlamentin e Serbisë
Që nga vitet ’90-ta, dhe pas një pauze gjatë viteve 1997–2007, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë përfaqësuar kryesisht nga një deputet në Parlamentin e Serbisë. Por kjo ndryshoi në zgjedhjet e 21 qershorit 2020.
Pesë parti politike shqiptare në Luginën e Preshevës, përkatësisht partitë shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, tri komunat e jugut të Serbisë të populluara me shqiptar, garuan në një listë të unifikuar zgjedhore të emëruar “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”.

Gjithçka nisi me ndërmjetësimin e Tiranës, ku në atë kohë ish-ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, mori përsipër procesin dhe bindi Partinë për Veprim Demokratik, Alternativën për Ndryshime, Lëvizjen për Progresin Demokratik, Lëvizjen për Reforma të Partisë Demokratike Shqiptare dhe Partinë Demokratike që të arrinin një marrëveshje.
Kjo marrëveshje bëri që lista shqiptare “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar” të siguronte 26 mijë e 437 vota, apo 0.82 për qind të votave, që u përkthyen në tri mandate të deputetëve.
Lista “Koalicioni Shqiptar”
Shaip Kamberi, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, njëherit edhe bartës i listës për zgjedhjet e 25 tetorit, këtë marrëveshje e sheh si një hap drejt bashkimit të votës politike shqiptare.
“E shoh këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm drejt bashkimit të votës politike shqiptare në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit. Për herë të parë pas një periudhe të gjatë, partitë shqiptare kanë arritur të kapërcejnë dallimet dhe të paraqiten para elektoratit me një listë të përbashkët, të quajtur ‘Koalicioni Shqiptar’”, tha Kamberi.

Një tjetër rëndësi e kësaj liste, sipas kryetarit të Partisë Demokratike në Bujanoc, Nagip Arifi, vlerësohet të jetë edhe përfshirja e të gjitha komunave shqiptare.
“Subjektet politike shqiptare të Luginës së Preshevës kanë arritur një marrëveshje për të qenë në një listë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare. Ajo që është e rëndësishme është se, përveç bashkimit të partive, këtë herë është arritur që në tri vendet e para të përfaqësohen të tri komunat shqiptare” ka theksuar Arifi.
Mundësitë e shqiptarëve përmes bashkimit
Lista e përbashkët, sipas Kamberit, krijon mundësi për një mobilizim më të gjerë të votuesve shqiptarë në Serbi.
“Besoj se një listë e përbashkët krijon mundësi për një mobilizim më të gjerë të votuesve shqiptarë, jo vetëm në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, por edhe të shqiptarëve që jetojnë në pjesë të tjera të Serbisë. Kjo është edhe arsyeja pse kemi insistuar që në këtë proces të ketë një identitet të qartë shqiptar dhe që mesazhi kryesor të jetë përfaqësimi i interesave të shqiptarëve në institucionet e Republikës së Serbisë”, theksoi Kamberi.
Vetë Kamberi pret që kjo marrëveshje mes shqiptarëve të përkthehet në një përfaqësim parlamentar që do t’u jepte shqiptarëve më shumë hapësirë për të artikuluar çështjet që i prekin drejtpërdrejt.
“Suksesi i kësaj liste nuk matet vetëm me numrin e mandateve. Ai duhet të matet edhe me atë se sa do të arrijmë që mandati parlamentar të përdoret për të mbrojtur në mënyrë serioze dhe të argumentuar interesat e qytetarëve shqiptarë. Pas zgjedhjeve, sfida kryesore do të jetë që kjo marrëveshje zgjedhore të shndërrohet në bashkëpunim politik dhe parlamentar”, tha ai.

Pritjet e Arifit janë që të “rikthehet” rezultati i vitit 2020, pra që të fitohen të paktën tri mandate.
“Nga këto zgjedhje presim që t’i maksimizojmë rezultatet dhe, në fund, së paku të fitojmë tri mandate, gjë që do të përbënte një përfaqësim më serioz dhe një zë më të fuqishëm në Parlamentin e Serbisë”, tha ai.
Visar Memeti nga Alternativa për Ndryshim është i bindur që një koalicion gjithpërfshirës do ta forcojë rolin e shqiptarëve.
“Një koalicion gjithperfshirës padyshim që do të forcojë rolin e shqiptarëve në këto zgjedhje, e posaçëerisht në këto zgjedhje kur klima politike në Serbi është e paqartë duke pasur parasysh impaktin e studentëve. Me shumë gjasa ulëset e siguruara nga pakicat do të luajnë rol shumë të rëndesishëm në formimin e qeverisë së ardhshme në Serbi”, deklaroi ai duke shtuar se pritshmëritë janë të mëdha.

Roli i Kosovës në këto zgjedhje
Këshilltari Politik për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ragmi Mustafi, konsideron se marrëveshja krijon mundësinë që kërkesat e qytetarëve të përfaqësohen përmes një platforme të përbashkët dhe një bashkëpunimi që vazhdon përtej zgjedhjeve.
“Besoj se krijon kushte më të mira për një përfaqësim parlamentar më të fuqishëm. Shmangia e copëzimit të votave, bashkimi i kapaciteteve organizative dhe paraqitja me qëndrime të përbashkëta mund ta rrisin peshën politike të përfaqësuesve të zgjedhur. Megjithatë, bashkimi nuk përkthehet automatikisht në mandate. Rezultati varet nga pjesëmarrja, kushtet zgjedhore dhe puna e përbashkët. Po aq rëndësi ka që bashkëpunimi të vazhdojë në Parlament, me kërkesa të qarta dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve”, tha Mustafi.
Mustafi mori si shembull mënyrën se si serbët përfaqësohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në këtë rast, ai pret që shqiptarët të sigurojnë pesë ulëse në Kuvendin e Serbisë, i cili ka 250 ulëse.

Mustafi nënvizon faktin se zgjedhjet e 25 tetorit 2026 po mbahen në një moment të rëndësishëm për Serbinë, pasi Lëvizja Studentore, e cila lindi nga protestat pas tragjedisë në Novi Sad, më 1 nëntor 2024, kur u shemb streha prej betoni e stacionit hekurudhor dhe mbetën të vdekur 16 persona, sfidoi edhe pushtetin e Aleksandar Vuçiqit.
“Andaj, çdo ndryshim i vërtetë demokratik në Serbi duhet të përfshijë edhe përmirësim të matshëm në trajtimin e shqiptarëve dhe të pakicave të tjera. Sundimi i ligjit merr kuptim kur secili qytetar gëzon të drejta të barabarta, pavarësisht përkatësisë etnike. Ndaj, nga çdo shumicë e ardhshme parlamentare duhet të kemi pritshmëri për zotime konkrete, afate dhe rezultate për çështjet që prej vitesh presin zgjidhje.
Në këtë drejtim, besoj se Ballkani Perëndimor ka nevojë për standarde të përbashkëta, të zbatueshme dhe pa përjashtime në trajtimin e pakicave. Kosova, me garancitë e saj për përfaqësimin e komuniteteve, mund të shërbejë si shembull. I njëjti respekt për gjuhën, identitetin, arsimin dhe pjesëmarrjen institucionale duhet të vlejë në të gjithë rajonin. Dhe nuk ka asnjë arsye që të mos vlejë edhe në Serbi. Këto të drejta janë detyrim i secilit shtet ndaj qytetarëve”, tha ai.
Ai pret që “Koalicioni Shqiptar” të shërbejë si një platformë e qëndrueshme bashkëpunimi përtej 25 tetorit.
“Suksesi i marrëveshjes do të matet me aftësinë për ta kthyer besimin në punë dhe përfaqësimin në përmirësim të jetës së qytetarëve. Kjo kërkon këmbëngulje përballë padrejtësive, maturi në vendimmarrje dhe përkushtim të vazhdueshëm ndaj përgjegjësisë së marrë”, potencoi Mustafi.
Nga përfaqësimi tek ndikimi politik
Ndonëse kanë qenë të përfaqësuar në Parlamentin e Serbisë, analisti nga Presheva, Gani Rashiti, thotë se asnjëherë nuk është arritur që shqiptarët të bëhen pjesë e shumicës parlamentare.

“Edhe pse shqiptarët janë përfaqësuar simbolikisht në Parlamentin e Serbisë, ata asnjëherë nuk arritën të bëhen pjesë e shumicës parlamentare. Për këtë arsye, përfitimet për komunitetin kanë qenë thuajse zero. Është e pakuptimtë të garosh në zgjedhje pa pasur ambicie apo pa synuar të bëhesh pjesë e pushtetit ose e qeverisjes.
Kjo ideja se duhet të jem i pranishëm në Parlament vetëm për të ngritur shqetësimet, por të mos jesh pjesë e pushtetit për të krijuar mundësinë e realizimit të këtyre të drejtave, për mua është e pakuptimtë. Nëse i referohemi së kaluarës, qytetarët e Luginës në vazhdimësi kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre për të qenë pjesë e opozitës. Dhe, nga ky aspekt, ne kemi pasur një bllokim të komunikimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të shqiptarëve në Luginë dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë, për çështje që lidhen me interesat e ngushta individuale”, tha ai.
Rashiti shprehet skeptik për rezultatet që do të sjell ky koalicion i të gjitha partive shqiptare.
“Nga ky aspekt, unë jam skeptik se do të kemi përmirësim të situatës aktuale të shqiptarëve në Luginë, pasi për të ndryshuar këtë situatë ekzistojnë dy opsione. E para, çështjet duhet të ngrihen në nivele shtetërore, ndërsa e dyta, përfaqësuesit tanë duhet doemos të jenë pjesë e qeverisjes, gjë që do t’u mundësonte atyre një ballafaqim të drejtpërdrejtë me ministrat përkatës”, vlerëson ai.
Pas arritjes së marrëveshjes, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ky bashkim politik nuk është i mjaftueshem por që asimetria e të drejtëave është po ashtu padrejtësi.
“Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë, i cili numëron 250 ulëse. Përfaqësimi i garantuar është një parim që duhet të vlejë si në Kosovë ashtu edhe në fqiun tonë verior, me të njëjtin respekt për barazinë dhe të drejtat e tyre. Të drejtat dhe identiteti janë themele të këtij angazhimi që e shoqërojnë përditshmërinë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ato mishërohen me mbrojtjen nga pasivizimi diskriminues i adresave, përfaqësimi i drejtë në institucione publike si dhe zhvillimi ekonomik. Gjuha e kultura, simbolet dhe kujtesa jonë janë pjesë e qenies sonë dhe e përgjegjësisë që kemi ndaj brezave që vijnë. Sepse brenda secilës prej këtyre kërkesave jeton një shpresë njerëzore, për të punuar, për të krijuar familje dhe për të ndërtuar një jetë me dinjitet në vendlindje”, kishte shkruar Kurti.
Lista e përbashkët “Koalicioni Shqiptar” do të garojë me numrin 17 në zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi, e risi e kësaj liste është pjesmarrja e Partisë Demokratike Shqiptare e udhëhequr nga Ragmi Mustafa, e cila deri më tani ka ftuar për bojkotimin e të gjitha zgjedhjeve parlamentare në Serbi.
